Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit D.Ll., për shkak të veprës penale “vrasje”.
Sipas aktakuzë, ndër të tjera ceket se i pandehuri D.Ll., më 12 korrik të vitit 2003 në fshatin Raçë ta Gjakovës e ka privuar nga jeta viktimën N.N., për gjakmarrje.
“Në atë mënyrë që për shkak të vrasjes së babait të tij, të cilin para 12 vitesh e kishte privuar nga jeta i ndjeri N.N., ditën kritike i pandehuri, shkon në vendin e lartcekur me veturën e tij Golf 3, ngjyrë e kuqe, duke i përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit dhe kur i njëjti ka hyrë në dyqan “V…”, për të blerë ca gjëra ushqimore, i pandehuri D.LL., e pret e me të vërejtur se del nga dyqani prej një afërsie shtënë në drejtim të tij 28 herë në pjesë të ndryshme të trupit, dhe kur viktima bie përtokë, i pandehuri përsëri shtënë në drejtim të kokës së viktimës, duke i shkaktuar plagë të shumta me armë në kokë, gjoks dhe gjymtyrë, nga plagët e marra viktima ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, bëhet e ditur se i pandehuri që nga koha e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati, ndërsa i njëjti është arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Kosovë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në njofitm.