“Fronti Evropian”, bashkimi që bën fuqinë, që fshin dallimet e afron, për synimet gjeostrategjike të vendit!
-Ajo që e tha zëvendëskryeministri Artan Grubi, si mysafir i Leonard Kërçukut në Klan Maqedoni, ka peshë: Qeverinë e ardhshme e bën Ali Ahmeti, me atë që do të zgjedhë ai. Kjo nënkupton pikërisht aspektin programatik, se ky front nuk do të bashkohet në qeveri me forca të cilat mund të kenë orientime të tjera
Shkruan: indeks.mk
Ali Ahmeti, kushedi për të satën herë dëshmoi se është një idealist i papërmirësueshëm! Njeri i ideve të pashtershme, i vizioneve largpamëse, që kur i ndan me publikun, u qëndron deri në fund për t’i jetësuar ato.
Këtë e ka dëshmuar në të kaluarën, po e dëshmon edhe tash në prag të zgjedhjeve, me formimin e Frontit Evropian, si një synim që sublimon interesin kombëtar shqiptar si përcaktim gjeostrategjik, ashtu interesin shtetëror dhe të gjithë qytetarëve të vendit tonë.
Viteve të fundit sintagma më e pranishme në fjalorin politik të BDI-së dhe partive tjera në pushtet, ka qenë integrimi në BE dhe së këndejmi, edhe parakushtet që duhet plotësuar. Një kohë të gjatë Ali Ahmeti e përcaktoi si një front të përbashkët për këtë qëllim, me një ambiciozitet që të krijohet ai lloj i shumicës që do të bashkohen rreth kësaj ideje dhe me ndryshimet kushtetuese, t’i hapen dyert BE-së.
Nëse marrim emrin e BDI-së, që e ka “integrimin” brenda, tregon një largpamësi më shumë se dy-dekadëshe! Jo rastësisht, apo jo?
Obstruksionet e disa forcave politike, që e vunë në plan të parë egoizmin dhe interesin e ngushtë, bënë të vetën dhe në zgjedhjet e pranverës po shkojmë pa e realizuar një detyrë shtëpie të përcaktuar nga BE. Ndaj dhe, për të mos i lënë asgjë rastit, idealisti i sprovuar Ahmeti, e vuri në veprim gjithë dijen dhe përvojën e tij që të krijojë një front të gjerë po për të njëjtin qëllim.
Dhe, bëri atë që thuhet: vetë kapërceu edhe Rubikonin. Dhe bëri që të njëjtën ta kapërcejnë edhe të tjerët.
Sepse, kur ke një qëllim madhor siç është integrimi në BE dhe pengimi i ndikimit rus, që është gjithnjë e më agresiv dhe që cenon interesat gjeostrategjike të vendit tonë dhe rajonit, nuk është vështirë të gjesh bashkëmendimtarë, madje edhe në mesin e oponencës politike të deridjeshme.
Qartësimi i qëllimit politik, vënia e interesit kombëtar e shtetëror në plan të parë, e bën të mundshëm harrimin e përplasjeve politike, e bën të mundshëm bashkimin edhe në baza politike e partiake, edhe në baza etnike e fetare, që janë kualitete plus të këtij bashkimi forcash. Sot Fronti Evropian, është koalicioni më i gjerë që përbëhet nga 8 parti, ku përveç partive shqiptare BDI, PDSH, ASH, PDE dhe LP, janë edhe tri parti të bashkësive rome, turke dhe boshnjake dhe një lëvizje qytetare.
Gjatë ceremonive të nënshkrimit të marrëveshjeve, të gjithë aktorët kanë theksuar interesin e përbashkët dhe jetik për vendin, ndërkaq kanë vënë në dukje edhe aspektet tjera, siç është ai që pikërisht përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe veprimit politik të BDI-së, kanë mundur të vijnë në shprehje edhe interesat e bashkësive më të vogla, ndaj bashkimi i këtillë në këtë front të përbashkët, është më se i natyrshëm.
Fuqia e Frontit qëndron faktorizimin e kauzës së tyre, sepse nesër pas zgjedhjeve, do të dalë si një forcë pa të cilën nuk do të mund të planifikohen veprimet politike që duhet ta kenë procesin e eurointegrimit si qëllim të parë. Ajo që e tha zëvendëskryeministri Artan Grubi, si mysafir i Leonard Kërçukut në Klan Maqedoni, kanë peshë: Qeverinë e ardhshme e bën vetë Ali Ahmeti, me atë që do të zgjedhë ai. Kjo nënkupton pikërisht aspektin programatik, se ky front nuk do të bashkohet në qeveri me forca të cilat mund të kenë orientime të tjera, por me ato që janë përcaktuar për integrimet euro-atlantike, për forca të cilat nuk i kthejnë prapa proceset që janë treguar si të suksesshme deri tash në fushën e të drejtave dhe barazisë.