Në xhaminë “Haxhi Ibrahim Devolli” në Pejë, u mblodhën këtë të mërkure besimtarët myslimanë për të falur namazin e Fitër Bajramit.
Transmetimi në Klan Kosova, ka nisur që nga ora 05:20, ku është shfaqur e gjithë atmosfera që ka mbretëruar brenda në xhami.
Aty interpretoi ilahisti i njohur Egzon Ibrahimi së bashku me grupin e tij, të cilët mahnitën me zërin e tyre.
Përndryshe, fillimisht transmetimi nisi me faljen e namazit të sabahut, për të vazhduar me pasë me imamin e kësaj xhamie Kushtrim Kelmendin, i cili mbajti një ligjëratë.
Kelmendi, ka thënë se Muaji i Ramazanit ishte një mundësi e mirë që besimtarët e shfrytëzojnë që të jenë sa më afër Zotit.
“Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, është një mundësi e mirë është një klimë e artë, që besimtarët e shfrytëzojnë që të jenë sa më afër Zotit të madhërishëm, por ata të cilët kanë bërë shkelje kanë bërë ndonjë gjynah, e shohin veten se kanë gabuar, padyshim se dera e pendimit është e hapur”, tha Kelmendi.
“Çdo besimtar kur e bën një punë dëshiron që ajo punë që t’i pranohet te Allahu. Allahu i pranon veprat e mira prej robërve të tij, vetëm ata që janë të devotshëm dhe të përkushtuar”.
Transmetimi më pasë u hijeshua me ilahitë e Egzon Ibrahimit dhe grupi të tij që për një kohë, mahnitën shikuesit përmes televizionit dhe besimtarët që ishin të pranishëm brenda në xhami.
I gjithë transmetimi që zgjati afër dy orë, u mbyll me faljen e namazit të Fitër Bajramit. /Klankosova.tv.