Fakulteti Filozofik i UT-së me maturantët e qytetit diskutoi për rolin e sociologut dhe punonjësit social në shkolla dhe institucione tjera si profesion i së ardhmes
Në kuadër të Fakultetit Filozofik, programet studimore: Sociologji dhe Punë sociale dhe mbrojtje sociale organizuan punëtori me maturantët e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” dhe “7 Marsi” të Tetovës, me temë: “Roli i sociologut dhe punonjësit social në shkolla dhe institucione tjera si profesion i së ardhmes”. Fillimisht fjalë përshëndetëse mbajti shefja e programit studimor Sociologji, Prof. Dr. Ardita Abduli – Reka, e cila në emër të stafit të përgjithshëm shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e ndërsjellë. Naser Rushani, mësimdhënës i sociologjisë nga gjimnazi “7 Marsi” shpalosi një pasqyrë të shkurtër mbi sociologjinë si profesion, mësimdhënien e sociologjisë dhe rëndësinë e saj shkencore në të ardhmen.
Ndërkaq, Afrona Mashkulli, sociologe në shkollën “Penestia” në Dibër në cilësinë e trajnueses diskutoi për rolin dhe rëndësinë e sociologut në shkollë, si shërbim profesional.
Nga Universiteti i Tetovës në cilësinë e trajnuesit, Mr. Sc Ismail Ismaili, ligjërues në programin studimor: Punë sociale dhe mbrojtje sociale, diskutoi mbi rolin dhe rëndësinë e punës së një punonjësi social nëpër institucione.
Më pas filluan detyrat dhe aktivitetet me nxënësit, respektivisht u shtrua një diskutim dhe rrahje mendimesh mbi disa fenomeneve shoqërore të konsideruara si probleme aktuale të shoqërisë dhe si mund të gjendet zgjidhje për to. Në këtë rast mirënjohje shkon edhe për studentët dhe bashkëpunëtorët e dy programeve studimore që gjatë gjithë kohës ishin në gatishmëri të rrjedhës së aktivitetit. Në fund, dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Ibish Kadriu ndau certifikata për organizatorët e punëtorisë.