Kampionati Europian i kësaj vere paraqet sfida të mëdha për autoritetet gjermane të sigurisë. Miliona tifozë pritet të jenë pjesë e këtij turneu, që do të mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik, për të mbushur stadiumet dhe të marrin pjesë në festimet publike.
Autoritetet gjermane parashikojnë 2.7 milionë tifozë në stadiume dhe deri në 12 milionë tifozë në zonat “fan club” në dhjetë qytetet pritëse. Sipas mediave gjermane, vetëm Berlini pritet të presë 2.5 milionë vizitorë, me pritshmëri masive të tifozëve në zona të caktuara si ajo rreth Portës së Brandenburgut.
Vizitorët e stadiumeve do të përballen me kontroll të dyfishtë të sigurisë, me një kontroll të parë jashtë dhe një të dytë brenda perimetrave të sigurisë, ku bileta dhe artikujt personal do të nënshtrohen në inspektim të detajuar. Kërcënimet që ato përballen janë të ndryshme dhe përfshijnë rrezikun nga terrorizmi, huliganizmi, kriminaliteti i dhunshëm dhe sulmet kibernetike.
E veçantë për Euro 2024 është edhe gjendja e sigurisë ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike, si përshkallëzimi në Lindjen e Mesme dhe konflikti rus në Ukrainë, të cilat mund të kenë ndikim mbi turneun.
Si mënyrë shtesë e mbrojtjes, kufijtë gjermanë do të monitorohen më rreptësisht gjatë Euro 2024, me kontrolle të rastësishme që mund të ndodhin. Gjermania ka një histori të vendosjes së kontrollit të përkohshëm kufitar për evente të mëdha sportive si Kupa e Botës 2006 dhe punon ngushtë me vendet pjesëmarrëse dhe fqinje për të siguruar një ambient sa më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. Euro2024 do transmetohet pa pagesë në TV Klan.