Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shtyrë takimin me presidentin amerikan, Joe Biden, i planifikuar të zhvillohej me 9 maj në Shtëpinë e Bardhë, ka njoftuar një zyrtar turk.
“Ne do ta presim me padurim presidentin Erdogan në Shtëpinë e Bardhë në një kohë të përshtatshme për të dyja palët”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Në kushte anonimiteti, zyrtari turk tha se një datë e re për takim do të caktohet së shpejti, ndërsa shtyrja e tij ende mbetet e paqartë.
Edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk njoftoi kurrë zyrtarisht për vizitën e mundshme të Erdoganit, një zyrtar amerikan tha se pas vizitës së Ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, në Uashington, Shtëpia e Bardhë ishte pajtuar për një takim midis Bidenit dhe Erdoganit, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Erdogan dhe Biden janë takuar disa herë në samite ndërkombëtare dhe kanë zhvilluar biseda telefonike, por nëse takimi do të mbahej atëherë do të shënonte vizitën e parë të presidentit turk në Uashington.
Lidhjet midis SHBA-së dhe Turqisë prej kohësh kanë qenë të tensionuara. Ndërsa ato u zbutën që kur Ankaraja ratifikoi ofertën e Suedisë për anëtarësim në NATO, tensionet midis dy vendeve vazhdojnë mbi Sirinë, Rusinë dhe luftën në Gazë.
Ndryshe, Erdogan së fundmi ka vizituar Irakun. Gjithashtu, ai u takua edhe me liderin e Hamasit, Ismail Haniyeh, në Stamboll, takimi i parë midis Erdoganit dhe një anëtari të Hamasit që kur Izraeli filloi ofensivën ushtarake në Gazë.