Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se është ekstraduar nga Koreja e Jugut, përkatësisht nga Seuli 50-vjeçari, Ervin Shahini, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm.
Shahini ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
“Ky shtetas, në kohë të ndryshme të vitit 1995, duke përdorur armë të ftohta (thika), ka vrarë dhe plagosur shtetas që punonin taksistë”.
“Pasi i faturonte si taksi, për të shkuar në destinacionet e kërkuara, ky shtetas i godiste drejtuesit e automjeteve, me thikë, iu merrte automjetet dhe largohej nga vendi i ngjarjes.
Të njëjtin mekanizëm ka përdorur në të gjitha ngjarjet, konkretisht:
– më datë 15.05.1995, në bashkëpunim me shtetasit A. M. dhe N. K., plagosi me thikë shtetasit P. B. dhe A. A.;
– më datë 10.07.1995, plagosi me thikë shtetasin S. H.;
– më datë 27.08.1995, vrau shtetasin Xh. A.;
– më datë 27.10.1995, plagosi me thikë shtetasin I. I.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, bëhet e ditur se gjatë trazirave të marsit të vitit 1997 në Shqipëri, Shahini është arratisur dhe është larguar në mënyrë të kundërligjshme jashtë Shqipërisë.
“Drejtoria e Interpolit, që prej vitit 2015, ka shkëmbyer korrespondenca të shumëfishta me zyrat homologe dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin provizor të këtij shtetasi, për ta ekstraduar në vendin tonë”.
“Së fundi, është siguruar informacion se ky shtetas strehohej në Republikën e Koresë. Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se shtetasi Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit”, thuhet tutje në njoftim.