“Duam ta dimë pse”, Guterres kërkon shpjegim për vrasjen e humanitarëve në Gaza

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke folur për vrasjen e punëtorëve të ndihmave në Gaza, tha se “ne duam ta dimë pse”.

Ai vuri në dukje se deri më tani janë vrarë 196 të tillë, gjatë fushatës së Izraelit.

Guterres, tha se shpreson që Izraeli të rrisë shpejt dhe në mënyrë efektive aksesin e ndihmave në Gaza.

Ai kështu u shpreh, duke e përshkruar situatën në rajon si “absolutisht të dëshpëruar”, raporton, The Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Izraeli ka miratuar rihapjen e kalimit Erez në veri të Gazës dhe përdorimin e përkohshëm të portit Ashdod në jug të Izraelit.

Kjo ndodhi pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se mund të vendosen kushte për mbështetjen e ShBA-së për Izraelin nëse ai nuk vepron.

Zemërimi global për krizën humanitare u përshkallëzua, pasi një sulm ajror izraelit vrau shtatë persona që punonin për bamirësinë ndërkombëtare World Central Kitchen.