Në tre muajt e parë të këtij viti, disa nga 30 mjekë në Kosovë, janë larguar nga vendi, e disa të tjerë në proces të kompletimit të dokumentacionit për ta bërë këtë.
Kështu tha kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online, tha se gjithashtu se mbi 400 mjekë janë të papunë, transmeton Klankosova.tv.
Sejdiu tha se institucionet përgjegjëse që nuk po ndërmarrin masa për ta ndalur ikjen e profesionistëve shëndetësor, teksa kritika ka edhe “për punësim të joprofesionistëve”.
“Si fenomen është duke vazhduar me trendin e njëjtë një trajektore e cila tash e sa vite është e njëjtë me rënie dhe ngritje periodike. Për këtë tre mujor kemi 30 kolegë të rinj të cilët vetëm se kanë plotësuar dokumentacionin dhe janë në proces apo disa prej tyre vetëm se janë larguar e që neve na bën me dije se asgjë nuk ka ndryshuar gjatë kësaj kohe që mundohemi t’i ndalim pra nuk ka pas efekt nëse mund të them se është marrë ndonjë masë atraktive për me e ndal ose zvogëluar këtë trajektore apo numrin e largimit”, u shpreh Sejdiu.
Për mjekët e papunë ai kërkoi që Ministria e Shëndetësisë dhe komunat të krijojnë strategji për punësimin e tyre.
“Me raportin e vitit 2023 do të thotë me 1 janar do të thotë të verifikuar përmes listave të pagave buxhetit të Kosovës dhe të ATK-së përfitimeve që i sjellin prej ATK-së janë të vetëdeklaruar 441 mjekë të papunë që është një numër shumë i madh… është shumë e vërtetë që disa komuna të vogla me qenë më pak atraktive kanë probleme për më i tërheq ata por nënkuptohet për shembull, Obliqi, Fushë-Kosova që janë para lagjes së Prishtinës janë të pakuptueshme kështu që unë mendoj se ka ardhur koha dhe është momenti i fundit që Ministria e Shëndetësisë dhe komunat në këtë rast të bëjnë një strategji të përbashkët se si të ia bëjnë për funksionimin e këtyre të rinjve sepse duhet ditur se një mjek i cili për tri, katër vite është i papunë pret punë nuk ushtron profesionin ai është mund të them se 50 për qind e njohurive të tij apo e procesit mësimor është e barabartë me zero”, deklaroi Sejdiu.
Ai ka kritikuar edhe nivelin qendror dhe lokal për shkak se “punësimet janë keqpërdorur”.
“Ministria e Financave jo vetëm tani por edhe në të kaluarën çdoherë e ka dokumentuar se kanë dhënë vende pune të reja për mjek në komuna po ata kryetarët e komunave të cilët janë ata përgjegjës kanë punësuar të tjerë jo mjek, jo punëtorë shëndetësor dhe ato vende janë keqpërdorur dhe tani rreziku vjen faza e dytë është që është më problematike është niveli sekondar i spitaleve i cili unë besoj se vetëm kanë filluar të kenë probleme për shkak të mungesës së specializimeve për një kohë dhe specializime pa kriter të cilat nuk janë dhënë për nevoja reale të këtyre spitaleve rajonale”, thotë Sejdiu.