Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) është plotësisht i përgatitur për zbatimin e zgjedhjeve të nesërme presidenciale, deklaroi sot në mbledhje kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.
“Plotësisht jemi të përgatitur për ditën e nesërme. Dhe ato përgatitje asnjëherë nuk ndalojnë. Vazhdimisht dikujt i mungon diçka kështu që jemi në kontakt non stop me njerëzit. Që nga mëngjesi kemi pasur shumë kontakte dhe do të vazhdojmë të jemi në kontakt. Edhe nesër gjatë ditës nëse paraqiten probleme do t’i zgjidhim sepse kjo është problematikë e gjallë e cila duhet të zgjidhet në vazhdimësi”, tha Dashtevski.
1180×200
Të drejtën e votës në zgjedhjet e nesërme, siç sqaroi Dashtevski, qytetarët do të mund ta realizojnë me dokument të vlefshëm për identifikim personal, letërnjoftim dhe pasaportë me emrin e vjetër kushtetues të Republikës së Maqedonisë si dhe me letërnjoftim dhe pasaportë afati i të cilës ka skaduar nëntë muaj para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, ndërsa për nesër është 24 korriku i vitit 2023.
Dashtevski tha se nuk ka probleme me votimin sot të të sëmurëve, të burgosurve, në diasporë dhe personave në shtëpitë e të moshuarve.
“Votimi po realizohet mirë dhe po vijon dhe ato të dhëna do t’i kemi deri në mbrëmje. Diku ka përfunduar, por votimi zgjat deri në orën 19. Pas përfundimit të votimit sot KSHZ, siç ishte sqaruar, do të publikojë informacione për daljen e votuesve, përderisa rezultatet do të sublimohen dhe publikohen nesër bashkë me të tjerat.
Në mbledhjen e sotme të 98-të janë akredituar vëzhgues të rinj për zgjedhjet për president edhe për Zgjedhjet parlamentare. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve u rrit në 1.601, prej të cilëve 915 janë vendorë, ndërsa 544 vëzhgues ndërkombëtarë, 84 përkthyes si dhe 58 gazetarë të huaj.
Gjithashtu në mbledhje janë miratuar akreditime të OSBE/ODIHR për katër vëzhgues dhe dy përkthyes, për Kosova presin për dy gazetarë, të Ambasadës së SHBA-së për katër vëzhgues, Euronjuz Albania për dy gazetarë, për Fondacioni i romëve për demokraci për dy vëzhgues, për ABC Njuz Albania tre gazetarë, Asoshiejted pres pesë gazetarë, TV ARD Gjermani një gazetar, Përva TV Serbi dy gazetarë, RTV Kosovë pesë gazetarë, TV ZDF 3, Uejk up plotësim me 570 vëzhgues, Qendra për Zhvillim Kulturor në Maqedoni një vëzhgues, TV N1 për dy gazetarë, BNT tre gazetarë, dhe IFES plotësim me një vëzhgues për zgjedhjet parlamentare.
Vëzhguesit e akredituar dhe gazetarët dhe mediat e huaja marrin distinktivë nga KSHZ që të munden t’i ndjekin zgjedhjet, përderisa siç sqaroi anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko, gazetarët vendorë, fotoreporterët dhe kameramanët do të mund të raportojnë dhe t’i vizitojnë vendvotimet me pres-legjitimacionet e tyre.
Lejohet xhirimi dhe fotografimi në vendvotimet, por nuk lejohet që të xhirohet dhe të fotografohet pas paravanit që të mos shkelet fshehtësia e votimit, si dhe Lista Zgjedhore sepse aty ka të dhëna personale të qytetarëve. Eventualisht mund të bëhet përjashtim nëse ndonjë nga votuesit e gjetur në vendvotim nuk dëshiron të japë leje dhe nuk dëshiron të xhirohet, theksoi anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko.