Ç’po ndodh në shkollat franceze? Pas ekzekutimit makabër të dy mësuesve, rrihet për vdekje nxënësi 15-vjeçar
Ka shqetësime të reja për nivelet e dhunës mes të rinjve francezë pas vdekjes së një nxënësi 15-vjeçar, i cili u rrah pranë shkollës së tij.
Djali u sulmua nga disa njerëz teksa doli nga shkolla të enjten pasdite në Viry-Chatillon, rreth 20 km në jug të Parisit. Ai pësoi një arrest kardiak dhe vdiq një ditë më vonë, tha një burim policor sipas BBC. “Kjo dhunë ekstreme po bëhet e zakonshme”, tha kryebashkiaku i qytetit, Jean-Marie Vilain.
Më herët gjatë ditës, presidenti francez Emmanuel Macron tha se shkollat duhet të “mbrohen” nga “dhuna e pafrenuar midis adoleshentëve tanë dhe ndonjëherë midis atyre gjithnjë e më të rinj”.
Vilain tha për mediat franceze se djali ishte duke ecur në shtëpi pas një klase muzike rreth orës 16:30 me orën lokale të së enjtes, kur u sulmua nga një grup të rinjsh.
Sipas dëshmitarëve, ai është goditur me grushte dhe shkelma nga sulmuesit, të cilët kanë qenë të veshur me kapuç. Ai u dërgua në Necker, një spital pediatrik në Paris, por mjekët nuk mundën t’i shpëtonin jetën.
Policia është ende në kërkim të sulmuesve të tij dhe po studion pamjet e CCTV në përpjekje për t’i identifikuar ata. Vilain tha se ishte i pikëlluar nga sulmi, të cilin ai e përshkroi si “të pakuptimtë” dhe “të papërshkrueshëm”.
Ky ishte incidenti i dytë i tillë brenda një jave në Francë, pasi një vajzë 13-vjeçare u sulmua jashtë shkollës së saj në Montpellier të martën. Tensionet në shkollat franceze janë të larta që nga vrasja e dy mësuesve.
Samuel Paty-t iu pre koka në rrugë në një periferi të Parisit në vitin 2020 dhe Dominique Bernard u vra në shkollën e tij në Arras në tetor të vitit të kaluar. Ish-studentët që ishin radikalizuar ishin të përfshirë në të dyja vrasjet.
Javën e kaluar, drejtori i një shkolle në Paris dha dorëheqjen për shkak të kërcënimeve me vdekje. Ai u akuzua në mënyrë të rreme se kishte goditur një studente për shkak se mbante një shami në shkollë.