Profesori i matematikës, i denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual
Aktivistë të Lëvizjes Feministe Studentore, gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar një aksion, duke ia pamundësuar mbajtjen e ligjëratës profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar për ngacmim seksual.
Megjithatë, përmes një njoftimi, nga kjo organizatë thanë se policia erdhi “për ta mbrojtur të denoncuarin…” “…në vend se ta arrestojë atë”, raporton Klankosova.tv.
“Xhevat Krasniqit, ja ndërpremë ligjëratën, dhe e larguam nga salla. Policia përsëri erdhi në hapësirat e universitetit për të mbrojtur të denoncuarin për ngacmim seksual, në vend se ta arrestoj atë”, thanë nga kjo organizatë, për të theksuar: “Ne jemi të vendosur/a, rrugë tjetër pos përjashtimit nuk ka. Rezistenca jonë vazhdon”.
“Ti nuk ke çka me lypë në UP, as ti e asnjë person që hetohet dhe që denoncohet për veprën penale për ngacmim seksual, nuk kanë çka me lypë në UP. Ti duhesh me shku në burg e jo në fakultetin e edukimit”, ka thënë njëra prej aktivisteve.
Në ndërkohë, profesori Krasniqi ka telefonuar policinë, duke thënë se “disa persona kanë hyrë në sallën e ligjëratave dhe janë duke më penguar në ligjëratë”.
“A keni mundësi me ardh me më ndihmu?”, ka thënë Krasniqi.
Profesori i matematikës në Fakultetin e Edukimit, Xhevat Krasniqi, është denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual.
Rasti ka kaluar në Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës, ku po dëshmojnë studentet që e denoncuan rastin.