Ahmeti nga Dibra: Punë më të mençur, më të mirë, në shërbim të kombit se sa të anëtarësohemi në BE nuk ka!

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti bashkë me kandidatin për President, Bujar Osmanin dhe liderët e subjekteve tjera politike të Frontit Europian kanë bashkëbiseduar me qyetarët e komunës së Dibrës mbi rëndësinë e etablimit të Frontit Europian dhe synimeve të tij.

Ahmeti në fjalimin e tij ka potencuar se ky front nuk është vetëm për një përdorim, vetëm për një zhvillim, por është i ndërtuar për një mision, integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe se punë më të mirë, më të mençur se kjo nuk mund të ketë.

”U jam mirënjohës të gjithë përfaqësuesve të partive politike të cilët e përqafuan idenë e Frontit Europian përballë rreziqeve që kanosen. Europa është në luftë, Lindja është në luftë, ajo luftë që bëhet në lindje sigurisht që qendrën e ka në Kremlin, në Moskë dhe nuk mund ariu polar të jetë i qetë përderisa perandoria po përfundon. Të gjitha këto vatra zjarri në Lindje të mesme pikërisht bëhen për të ruajtur perandorinë ariu dhe me kthetrat e tij të lëndoj të gjithë popujt që duan lirinë, ashtu siç vepron edhe në Ukrainë. Ky Front Europian ndërtohet prej misionarësh, unë jam krenar dhe nga do që shkoj e shoqëroj kandidatin për president bashkë me autorët e Frontit Europian, besoni që nuk e dalloj kush është i BDI-së, kush është i Aleancës, kush është i PDSH-së, kush i partisë Europiane, të gjitha nëntë partitë janë të bashkuara në këtë Front Europian dhe pikërisht të gjithë e kanë kuptuar misionin që ky front nuk është për një përdorim, për një zhvillim, por është i ndërtuar për një mision: Antarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Punë më të mençur, punë më të mirë, shërbim kombit se sa të anëtarësohemi në BE nuk ka”, ka deklaruar Ali Ahmeti kryetar i BDI-së.