A mund t’ia bëjë Albini detyrat e shtëpisë shqiptarëve të “Severnës”?!

Medai Shaholli

Kohët e fundit na ka rastisur të dëgjojmë shumë ankesa se ndërhyrja e Albinit në “drzhavën Severna” po i prish punë pozitës dhe qeverisë.

Le të shohim konkretisht se çfarë punë i prish Albini pozitës dhe pushtetit në “Severnën” tonë.
Fakti që Albini mbështet opozitën shqiptare tregon vetëm zgjedhjen që ai ka bërë për krahun që ai mbështes dhe asgjë tjetër.
Shqiptarët e kësaj treve zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura me dekada nuk ia zgjidh dot Albini me mbështetje morale apo përmes ndonjë fotografie të dalur bashkë.

Thonë se Albini po ndërhynë në zgjedhjet e “drzhavës Severna” duke e mbështetur opozitën por deri këtu s’ka asnjë gjë për t’u shqetësuar.

Zotërinj, mos u shqetësini nga mbështetja verbale e Albinit pro opozitës pasi ai nuk po e “destabilizon drzhavën” as nuk po e nxit opozitën të përdori metodat e tij të dikurshme “revolucionare” nëpër rrugët e Shkupit dhe as përdorimin e gazit lotësjellës në parlament!

Shqiptarët e “Severnës” do të mirëprisnin nga Albini të kërkonte nga gjithë faktori politik shqiptar praktikimin e metodave “revolucionare” për arritjen e barazisë dhe statusit të barabartë politik dhe jo fotografinë e tij për të fituar poena politike.
Apo një këshille nga Albini, se cilado forcë politike që fiton zgjedhjet si kusht për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme të koalicionit do të ishte fshirja e njollës së turpit nga kushtetuta e cila i referohet gjuhës shqipe si gjuhë e 20%.

Albini këtë kusht nuk e ka përmendur as nuk e ka ndërmend, ahere përse thonë se Abini po i përzien ujërat duke mbështetur opozitën?
Albini nuk e “çan trapin” nëse shqiptarët e “Severnës” pushteti sllavo-maqedon i diskriminon dhe e përdhos gjuhën shqipe si gjuhë shifrash!
Atij nuk i intereson fakti që edhe pse shqiptarët përbëjnë afro 35% të popullsisë kanë më pak të drejta se serbët në Kosovës me 5%.
Albinit i intereson prestigji dhe roli i liderit shqiptar në rajon mbi Edvin batërdinë si sfidant i vetëm në këtë garë liderizmi, duke marr rolin e “Mesisë shpëtimtar”.

Ndaj, pozita nuk ka pse të frikësohet nga mbështetja e Albinit për opozitën pasi nuk paraqet asnjë rrezik, ai do thjesht vëmendjen e shqiptarëve si “Mesia shpëtimtari” që në fakt nuk është.
Nuk është sepse Albini nuk ka kërkuar nga shqiptarët e “Severnës” që mos t’i votojnë ndryshimet kushtetuese që janë sugjeruar pas zgjedhjeve të 8 majit, pa e fshirë nofkën antishqiptare që përdhos dinjitetin dhe identitetin gjuhësor të kombit shqiptar si gjuhë e 20%.

Ja përse nuk paraqet rrezik për “drzhavën” ndërhyrja e Albinit pro opozitës shqiptare, sepse edhe ai respekton kushtetutën e “Severnës” që diskriminon dhe përdhos identitetin gjuhësor të kombit tonë.

Ahere, ku qëndron rreziku i ndërhyrjes së Albinit dhe frika e prishjes së balancës mes partive shqiptare duke e favorizuar opozitën?
Asgjëkundi!
Janë thjesht demagogji.

Albin trimi nuk e zgjidh dhe nuk mund ta sjell dot ndryshimin përmes mbështetjes verbale për një forcë politike as statusin politik të shqiptarëve dhe barazinë në “drzhavën Severna”, por vetë faktori politik shqiptar nëse është i interesuar që mesa duket edhe pas tri dekadave ata po luajnë rolin e servilit të bindur para despotëve të pushtetit.

Ndaj, mos prisni që detyrat e shtëpisë t’ua bëjë Albini, por i bëni vetë sepsa ai ka mjaftë punë në Kosovë dhe nuk ka arritur t’ia dalë e lëre më të sjell ndryshimin te shqiptarët e “Severnës”!

Mbase një ditë vjen një shpëtimtar dhe na nxjerr nga “moçali i tradhtisë” ku na kanë fundosur subjektet tona politike për tri dekada me radhë në përpjekje për të çarë përpara assesi.