Medai Shaholli
(Nga zhurma e fushatës elektorale)
Kjo është vardisja me numrat e kryekomitit Micko në garën elektoraletë 8 majit, për 61 mandate në parlamentin e ri të “drzhavës Severna”.
Micko kërkon 61 mandate nga kampi i tij për formimin e qeverisë së koalicionit, ku si për kozmetikë do t’i marrë brenda saj edhe çunat e VLEN-it, si zhurmaxhinj të padobishëm që janë ndërsyer nga djali plëngprishës përtej kufijve.
Po ja në kulmin e kësaj sherrnaje politike ndodhin edhe çudira e të vjen ndihma nga nuk e mendon. Mu për këtë surprizë të këndshme thuhet se “miku i mirë njihet në ditë të vështirë”!
Dhe kështu paritmas, ja beh doktori në momentin dhe në vendin e duhur, pasi miku i mirë të ndodhet në ditë të vështirë, ku menjëherë i ofroi mikut të tij ato 8 mandate “Vredni” për qeverinë e re të koalicionit.
Opozita shqiptare nuk e ka kushtëzuar me asgjë hyrjen e tyre në koalicionin qeverisës, ashtu siç u prononcua kryekomiti Micko në një dekleratë për media se nuk ka asnjë kusht nga VLEN-i për pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme të koalicionit.
Kurse vetë ata thonë se ia vlen të hyjmë në bordelon qeveritare vetëm për inat të integristëve dhe të Frontit Europian, ku brenda qeverisë do të jemi ne që do sjellim ndryshimin dhe jo ata kusarët e dy dekadave të fundit të qëndrimit në pushtet, e kanë dreqosur këtë vend si mos më keq dhe se vendin e kanë në burg dhe jo në parlament.
Për më tepër siç tha njëri nga ta se më 9 maj ne do hyjmë në qeveri, ndërsa hajdutët e pozitës do t’i prangosim që ditën e parë.
Le të shohim sesi shqiptarët do të votojnë më 8 maj, se kush nga forcat tona politike do ta sjellë ndryshimin, kur tashmë drejtimet dhe rrugët e tyre janë përcaktuar qartas për të ardhmen e qytetarëve mes Brukselit dhe Moskës!
Si për fund le të presim 8 majin, ditën e zgjedhjeve dhe ditën e përballjes së madhe në betejën pakompromis të luftës së ashpër mes gladiatoreve të kampeve të ndryshme në fushën e mejdanit, me pretendimin dhe synimin për të fituar më shumë mandatet se kundërshtari në përbërjen e re parlamentare!