Velkovski: Mbi 2200 persona joligjërisht kanë marrë ndihma sociale dhe pensione

“Gjithsej 2252 persona në mënyrë të kundërligjshme kanë marrë ndihmë sociale dhe pension për më shumë se një vit”, njoftoi sot ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë teknike, Gjoko Velkovski nga radhët e VMRO-DPMNE-së.

Ai në konferencën e sotme për shtyp tha se është vërejtur edhe një pagesë retroaktive e mjeteve për disa muaj më parë, e cila ka ngritur dyshime në institucionet nën juridiksionin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS).

“Bëhet fjalë për shpërdorim të sistemit të mbrojtjes sociale dhe pagesë të paligjshme dhe kundër ligjit të fondeve për asistencë minimale të garantuar, e njohur gjerësisht si ndihmë sociale në para dhe pension social për personat që nuk plotësojnë kushtet ligjore për ta marrë atë. Manipulimi është sistematik dhe me gjasë në të kanë qenë të përfshirë disa persona, për çka është nisur një kontroll i jashtëzakonshëm për të zbuluar autorët”, tha Velkovski.

Ai sqaroi se bëhet fjalë për përfitues që kanë marrë asistencë minimale të garantuar dhe pension social dhe kanë raportuar se nuk kanë automjet.

“Dëmi mujor është 18 milionë denarë. Mbi 200 milionë denarë në vit. Për mbi 2200 përdorues”, tha Velkovski.

Ai shtoi se është e pashpjegueshme se si nuk kanë vepruar shërbimet, të cilat kanë vazhduar pagesën e mjeteve. Velkovski tha se në disa nga qytetet ku është zbuluar keqpërdorim, numri i përdoruesve kalon njëqind, si Manastiri – 166, Gostivar – 164, Kumanovë – 235, Prilep – 229, Shkup – 714, Karposh – 125, Kisela Voda – 155, Çair – 151, Shuto Orizari – 121, Tetovë – 150.