Taravari: Nuk e tradhtova Ziadin Selën, shumica e ASH-së është me mua!

Arben Taravari thotë se nuk e ka tradhtuar Ziadin Selën. Në një intervistë për gazetën LAJM, kreu i ASH-së, Taravari tha se përçarja ndodhi pasi ai dhe shumica e partisë kishin vendosur mos të shkonin me BDI-në në zgjedhje.

“Unë asnjëherë nuk dua të flas për tradhti, sepse erdhi një moment që mendonim ndryshe. Ai personalisht mendonte se duhet të dalim vetë, kurse të gjithë njerëzit rreth tij ishin të bindur se ne duhej të shkonim me BDI-në. Unë mendoja se ASH-ja është formuar për ta sjellur ndryshimin dhe nuk ka kuptim ndryshimi pa ASH-në, këtu ishin divergjencat tona. Tani as nuk dua të flas as ai për mua për tradhti, por unë mund të them për atë, sepse unë kam kërkuar që ai të më përkrah si kryetar partie në vizionin që e kam për këto zgjedhje, nëqoftëse nuk kalojmë mirë atëherë isha i gatshëm që të jap dorëheqje. Vetëm me një shpallje të një qëndrimi tim si një kryeatar partie, të nesërmen u kërkua prej meje të jap dorëheqje. Sidoqoftë, ne 9-10 vite kemi qenë bashkë, respekti i ndërsjelltë duhet të ekzistojë. Unë edi që këto faza janë faza afektive dhe dikush reagon më emocionalisht, por në 8 maj do të bindet edhe z.Sela por edhe shokët rreth tij të cilët insistonin të shkojmë me BDI-në, sepse do ta bëjmë punën më të madhe dhe më fisnike që mund ta bëjë një shqiptar, pas 22 vitesh qeverisje të BDI-së ta sjellim ndryshimin te shqiptarët. Besoj dhe shpresoj se ka hapsirë që më tutje ta shikojmë njëri tjetrin në sy dhe të ulemi të pijmë kafe dhe t’i diskutojmë këto probleme që i kaluam në këtë periudhë, vërtetë të vështira për ASH-në. Unë nuk mendoj se ka tradhti, ka divergjencë qëndrimesh, mendimesh. Më 8 maj, populli do të tregojë se kush ka pasur të drejtë”, tha Taravari.