Takim me profesorin pas shumë kohësh. Ja si e kujton Bujar Osmanin profesori i tij Sevim Ferati (VIDEO)

I pari i Diplomacisë, Bujar Osmani sot, më 7 mars, kur po shënohet dita e mësuesit, ka vizituar profesorin e tij të shkollës së mesme, Sevim Ferati- profesor i mirënjohur, në pension.

Ministri Osmani dhe profesori Sevim Ferati kanë kujtuar momente interesante gjatë periudhës kur ministri ishte nxënës në shkollë të mesme: “Mirë bre doktor Bujar … A të kujtohet një herë, kur shpjegova kiminë fizike; te rasti i teorive, ishte shumë abstrakte. Me qëllim e bëra te ju. Ta shoh sa e keni kuptuar. Të kujtohet kur e more fjalën? Profesor a mundem unë? Më kishe pas incizuar “pikë e për pe”. Thash: Bujar i mençur je! A të kujtohet? …

Prindi pastaj erdhi në mbledhje prindore. Thash prindi i Bujarit cili është? Tha, unë jam. Çka punoni, zotëri? Tha, jam kontrollor i biletave. Aha, thash, ta ruaje Zoti Bujarin, se Bujarin e ke të mençur. Ishallah, Ishallah- më tha. Kishte vdekur. Zoti në Xhehnet!”

Tutje, kryediplomati ka falënderuar profesorin për kontributin dhe për veprimtarinë e pashoq në arsim, duke i uruar shëndet dhe ditë të këndshme në pension.

“Sot dita e mësuesit. Erdha që ta uroj, e nëpërmjet juve edhe gjithë mësuesve tjerë. Unë kam kujtime të mira. Bashkë kemi qenë gjenerata e parë shqipe në “Panço Karagjozov”, dy paralelet e para. As shkollë të mesme nuk kemi pasur në gjuhën shqipe. Ju s’keni qenë vetëm profesor i kimisë, por keni qenë tamam një prind atje në shkollë. Një udhërrëfyes për ne si gjeneratë, që edhe ishim në moshë fragjile edhe mendoj që ajo na ka forcuar që sot e gjithë ajo gjeneratë të jenë sot bartës të profesioneve të rëndësishme, këtu në vend. Kështu që, puna juaj ka qenë me mbjell farën. Dhe, besoj se, sot i shohim lulet e asaj pune. Ju uroj shëndet dhe shpresoj të shihemi, veç për punë të mira”, i ka thënë ministri profesorit të tij, Sevim Ferati.