Shkëputja e mërgatës shqiptare

Shkëputja e mërgatës shqiptare

MERXHAN JAKUPI

Fluksi i parë e më i hovshëm i mërgatës shqiptare nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe pjesa shqiptare e Malit të Zi që u dynd për në shtetet perëndimore, filloi gjatë viteve të 60-ta të shekullit të kaluar. Një numër i këtyre mërgimtarëve tashmë nuk janë në jetë, ndërsa të tjerë nga ajo gjeneratë janë në moshë të thyer, të sëmurë dhe të mbetur të dëshpëruar me jetën e dyfishtë mes vendlindjes dhe mërgimit.
Këto breza të jetës dhe punës nga periudha e ish-federatës jugosllave, gjoja morën përkohësisht botën në sy, për të fituar dhe siguruar një jetë më të mirë dhe pastaj të kthehen në vendlindje. Gjithë ky entuziazëm, vullnet dhe shpresë, më në fund u shndërrua vetëm në një iluzion apo një ëndërr mashtruese. Këta mërgimtarë, më vonë, viteve të 90-ta sollën edhe familjet e tyre. Atëherë ndodhi që fëmijët apo foshnjat që lindën në mërgim, u përfshinë në shkolla dhe morën përgatitje për profesione të ndryshme, duke u angazhuar dhe integruar në institucione të atjeshme, për të dhënë kontributin e tyre në ekonomi, biznes, kulturë dhe në fusha të tjera të jetës.
Edhe vetë si mërgimtar në Zvicër, më kujtohen vitet e 70-ta e të 80-ta kur na merrte malli për vendlindjen dhe mallëngjeheshim në takime me bashkatdhetarët tanë, shpesh duke udhëtuar me tren për vizita të ndërsjella.
Në periudhën e ish-Jugosllavisë, ne na futshin me një “thes” me palën tjetër të mërgimtarëve dhe të gjithëve na thërritnin me fyese “Jugo”… Në ato vite, u shtuan klubet dhe shoqatat, shumica të komuniteteve sllave: të serbëve, kryesisht, por edhe kroate dhe boshnjake e më pak edhe shqiptare, të cilat organizoheshin nga ambasada jugosllave.

SHPËRTHIM I GJENERATAVE TË REJA

Mërgata e brezit të parë që solli edhe pasardhësit e tyre apo që lindën fëmijët në këto shtete perëndimore, kryesisht në Zvicër dhe Gjermani, tashmë janë një potencial zhvillimor në të gjitha fushat e jetës dhe punës, duke u dalluar me individë për sukseset e arritura.
Duke shëtitur me makinë nëpër rrugët kryesore të disa qyteteve të Zvicrës, vëreja pankarta, portrete të ngjitura nëpër pllakate të kandidatëve, që, në këtë muaj, kanë filluar kampanjën zgjedhore në nivel federativ, kantonesh dhe komunalë, ku prezantoheshin edhe kandidatë me origjinë shqiptare, për të garuar nëpërmjet subjekteve politike për poste të niveleve të ndryshme.
Kjo gjendje që po vërehet kohëve të fundit bëri që të kemi disa debate në hapësirat e klubeve tona në Zvicër dhe ishte konstatimi që kemi një vrull të paparë të rinjsh shqiptarë, të cilët i tregojnë ambiciet e tyre edhe në politikë. Njëri nga miqtë e mi lakmoi përgatitjen e tyre profesionale, madje konstatoi se po të ishin këta djem në vendlindje, do të sillnin një frymë të re në udhëheqje. Një tjetër, pranë tavolinës, shtoi se nipi i tij ishte master në shkencat politike dhe është kyçur në partinë social-demokrate në nivel kantonal, andaj kërkoi nga shqiptarët me pasaportë zvicerane që të japin votën kësaj partie, pasi që kjo parti me program është përcaktuar në mbrojtjen e interesave të emigrantëve, pra edhe të mërgatës shqiptare. Një tjetër u lëvdua se shqiptarët në Zvicër së shpejti do të kenë edhe diplomatë, ambasadorë dhe poste të tjera të rëndësishme shtetërore në Zvicër.
Ai që kishte nipin me shkenca politike, megjithatë ishte i lumtur që jetojnë në Zvicër, sepse, siç tha, po të ishte në vendlindje, ndonëse me fakultet, do të punonte diku në ndonjë restorant si kamerier.
Të tjerët thanë se gjenerata e parë e mërgimtarëve kishte ambicie për të siguruar bukën, ndërsa tash ata të rinj po depërtojnë thellë në shoqërinë zvicerane, sepse nuk duan të kthehen në vendin e baballarëve të tyre të kaosit dhe anarkisë.
U përfol një barsoletë nga vitet e 70-ta, kur një postier ishte nisur nga vendlindja për të punuar në Gjermani. Ai kishte pasur zgjuarsi dhe shumë shpejt kishte përparuar, kështu që pas disa vjetësh kishte hapur një firmë dhe aty kishte punësuar shumë shqiptarë, por edhe gjermanë. Katundarët e vendlindjes e bënin muhabetin e tij nëpër çajtore: “Eh sikur postieri ynë të mos shkonte në Gjermani, sot e kësaj dite do të ishte “poshtar” apo, edhe më keq, do të endej bjeshkëve tona si bari”.

KONTRIBUTI I SHQIPTARËVE JASHTË VENDLINDJES

Nëse hedhim një sy rrethanave historike, gjatë gjithë epokave, shqiptarët kanë dhënë kontribut, si në Perandorinë Osmane, në revolucionin grek dhe më pastaj deri në ditët e sotme. Aftësinë dhe zgjuarsinë e shqiptarëve përherë i kanë shfrytëzuar të tjerët dhe ata kanë qenë pak të dobishëm për kombin e vet. Megjithatë, shqiptarët kryesisht mburren me intelektualët e vet dhe me qarqet akademike. Ky fenomen nuk ekziston te popujt perëndimorë. Kjo, mbase, dëshmon edhe për një krizë të identitetit.
Shqiptarët vazhdojnë të mburren me fëmijët e tyre në mërgim. Është ironi dhe absurd që këta fëmijë të mërgatës shqiptare, të cilët u rritën dhe u shkolluan atje, shumë pak çajnë kokën për vendlindjen e baballarëve të tyre dhe e konsiderojnë se atdheu i tyre është Zvicra apo Gjermania etj. Kombi shqiptar ka dy nobelistë me origjinë shqiptare: Nënë Terezën dhe Ferid Muratin. Por, edhe gjatë historisë, shqiptarët kanë pasur personalitete të shquara në hapësira më të gjera gjeografike, siç kanë qenë Mehmed Ali Pasha në Egjipt, Ali Pashë Tepelena, Aleksandër Mojsiu dhe figura të tjera karizmatike. Këto personalitete dhe figura nuk kanë qenë derivate dhe produkt që do të kontribuonte në çështjen dhe kauzën kombëtare.