“RTK s’është han i babës” drejtori Gërvalla i reagon Adelinës: Emisionin me Drilon Gashin e ndala unë, është i dënuar për sulm ndaj gruas
Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, ka reaguar ndaj këngëtares Adelina Ismaili për sa i përket emisionit të saj që transmetohet në mediumin publik “Show i së Premtes”.
Ismaili e kishte të ftuar teologun Drilon Gashi, por redaksia e RTK-së nuk e aprovoi transmetimin e këtij emisioni, me arsyetim se Gashi ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë për dhunë në familje.
Ismaili emisionin e patransmetuar të dielën e publikoi në faqen e saj në Facebook.
Për këtë situatë Gërvalla është shprehur i habitur, duke thënë se Ismaili ka postuar në storie të rrjeteve sociale siç thotë ai “fabrikime të mediave private”.
Ai tha se “RTK-ja nuk është han i babës”, duke shtuar se i shërben publikes.
Po ashtu, ai ka thënë se Ismaili nuk është e punësuar si gazetare, por kanë bashkëpunim për këtë emision.
E në mënyrë që bashkëpunmi mes Ismailit dhe RTK-së të vazhdojë, Gërvalla tha se shpreson që të gjendet një derëdalje.
“Përkundër që jam në pushim prindëror, me të thënë të kësaj, unë uroj që RTK dhe ekipi i Adelina Ismajlit me të cilët kemi marrëveshje të shkruar për “Shoë i së Premtes” të gjejmë një derëdalje, që të na mundësojë bashkëpunim të mëtutjeshëm. Sepse unë s’kam asgjë personale kundër saj. E vetmja tek e cila insistoj është që ajo të tregojë ndaj nesh të njëjtin respekt që ne si profesionistë tregojmë ndaj saj”, ka thënë ndër tjerash ai.