Rikthehen temperaturat e ulta në Maqedoni, rrezikohen të mbjellat

Moti në vend do të jetë i paqëndrueshëm edhe gjatë javës së ardhshme. Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se nga mesi i javës në disa zona më të larta, temperaturat mund të bien edhe nën zero grade Celsius. Profesori Tosho Arsov nga Fakulteti I Shkencave Bujqësore, thotë se ulja e temperaturave për një periudhë më të gjatë, do të rrezikonte frutikulturën dhe të mbjellat në përgjithësi. Për momentin ulja e temperaturave do të rrezikonte më së shumti kajsinë dhe pjeshkët që pothuajse kanë lulëzuar plotësisht.

Qytetarët bëjnë mirë që të mos i lënë anash palltot, ndërsa çadrat t’i mbajnë me vete, sepse edhe gjatë ditëve në vazhdim moti në vend do të jetë i paqëndrueshëm.

Madje nga mesi i javës së ardhshme, në disa zona, temperaturat do të zbresin nën zero gradë celsius.

Nesër temperaturat do të variojnë nga 14 deri 21 gradë Celsius.

“Nesër dhe në orët e pasdites do të jetë mot kryesisht me diell, por vende -vende do të shfaqen edhe vranësira. Nga fundi i ditës do të shtohen vranësirat, kështu që gjatë orëve të natës së martë dhe gjatë të martës do të ketë reshje lokale, ndërsa në zonat rreth 1600 m mbi nivelin e detit do të ketë edhe reshje bore. Të martën do të ketë edhe erë të përforcuar nga veriu, veçanërisht reshje shiu në rajonin e Vardarit. Do të regjistrohet ulje e temperaturave gjatë ditës së martë dhe të mërkurë. Temperaturat e mengjesit gjatë së mërkurës dhe të enjtes do të jenë më të ulta, në disa vende do të jenë edhe nën zero gradë, konkretisht në rajonin e Osogovës dhe Malishevës”, tha Lençe Desova nga Enti Hidrometerologjik.

Luhatja e temperaturave nëse zgjat për një periudhë më të gjatë, mund të dëmtojë të mbjellat, posaçërisht frutikulturën që tashmë ka lulëzuar ose është në fazë lulëzimi.

Profesori Tosho Arsov, nga Fakulteti i Shkencave Bujqësore thotë se nga ulja e temperaturave do të rrezikohej kajsia dhe pjeshka, që pothuajse kanë lulëzuar plotësisht.

“Një pjesë e pemëve në disa rajonë janë në fazën e lulëzimit, apo tashmë kanë lulëzuar. Kajsia në pjesën më të madhe të vendit ka lulëzuar, gjithashtu pjeshkët janë para lulëzimit, ose në disa zona tashmë kanë lulëzuar pjesërisht. Kështu që këto lloj pemësh në rast se gjenden në temperatura të ulta mund të ngrijnë pjesërisht apo plotësisht dhe të dëmtohen. Ajo që përmendët ju se në malet e Osogovës dhe Malishevës mund të ketë ulje të temperaturave ,atje ka më shumë kumbulla dhe vishnje, ato janë ende në fazë , nuk ka shumë rrezik që të dëmtohen. Megjithatë, në raste se temperaturat bien në minus 3 apo minus 4 gradë Celsius dhe qëndrojnë për një kohë të gjatë ashtu, atëherë edhe këto frutikultura do të rrezikoheshin”, tha Arsov.

Nga dita e enjte, siç informojnë nga Enti Hidrometeorologjik, na pret mot më i ngrohtë./