Reali u kualifikua me ndihmën e gjyqtarit, Vinicius duhej të merrte karton të kuq

Real Madrid u kualifikua në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve duke vuajtur përballë Lajpcig dhe gjërat mund të ishin shumë ndryshe nëse kryesori i ndeshjes, italiani Davide Masa, do të kishte zbatuar rregulloren me Vinicius.

 

Në minutën e 54-t të sfidës, pas një dyluftimi me Orban, ai shkaktoi faull ndaj futbollistit kundërshtar dhe më pas i vuri edhe duart në fyt atij si reagim. Iturralde Gonzalez, ish-gjyqtar spanjoll i cili bën moviolën për “AS”, nuk ka dyshime se ky rast mund të përfundonte me karton të kuq dhe jo vetëm me të verdhë.

“Mund ta nxirrte jashtë, pasi në veprimin e dytë, i vë duart në fyt, as në gjoks jo. Nëse i nxjerr një të verdhë për faullin, një tjetër për shtyrjen, janë dy. Mund ta kishte nxjerrë jashtë.

Ka një ndihmë të gjyqtarit, pasi Madridi duhej të ishte me 10 lojtarë! Dhe ai i cili shënoi golin është një lojtar i cili duhej të ishte përjashtuar me të kuq”, tha ish-gjyqtari i njohur spanjoll.