Të premten, Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska dhe Ambasadori i Italisë në Shkup, do të nënshkruajnë marrëveshjen për furnizimin me 8 helikopterë për Armatën e Maqedonisë së Veriut. Deri në fund të muajit do të nënshkruhet edhe marrëveshja me kompaninë “Leonardo Helikopters”.
Armata e Maqedonisë së Veriut do të furnizohet me tetë helikopterë të prodhuesit Italian “Leonardo Helikopters”. Vlera e tyre është 230 milion euro, kurse pagesa do të bëhet në katër këste.
Siç njoftoi Ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, në brifingun me gazetarë, zgjedhja është bërë konform planit afatgjatë për zhvillimin e aftësive mbrojtëse 2023 – 2032 dhe planet e Armatës për ripërtrirje të komponentës ajrore, kurse procedura për zgjedhjen e kompanisë ka filluar me publikimin e shpalljes në vitin 2019.
Helikopteri i parë do të mbërrij në gjysmën e dytë të vitit 2026, kurse e gjithë dërgesa do të përfundojë deri më 2028.
Nga Ministria e Mbrojtjes kanë njoftuar se në pakon e furnizimit hynë edhe trajnimi i pilotëve dhe personelit Teknik dhe do të sigurohet hangari ku do të vendosen helikopterët e rinj.
Në konkursin për zgjedhjen e kompanisë kishin mbërritur katër oferta. Krahas “Leonardo Helikopters” oferta ka patur edhe nga një konzorcium franko-gjerman si dhe kompani nga SHBA-ja dhe Kanadaja.