Në kërkim të sekretit të zërit të mirë: ekspertët francezë skanojnë violinën e famshme të Paganinit të shekullit të 18-të


Ekspertët francezë përdorën rreze X për të skanuar violinën e famshme të luajtur nga kompozitori dhe virtuozi italian Niccolò Paganini në shekullin e 18-të, me shpresën për të zbuluar sekretin e tingullit të saj magjik, transmeton France24.

Instrumenti muzikor i preferuar i virtuozit nga Genova e Italisë, i quajtur “Il Cannone”, u bë pronë e vendlindjes së tij pas vdekjes së tij në 1840. Violina, e punuar nga krijuesi i njohur i instrumenteve Giuseppe Bartolomeo Guarneri del Gesu, tani del vetëm herë pas here për t’u luajtur nga muzikantët më të mirë në botë.

Ekspertët nga Qendra Evropiane e Rrezatimit Sinkrotron (ESRF) në Grenoble e skanuan instrumentin deri në strukturën qelizore të drurit të tij për të zbuluar gjendjen e tij, por edhe për të hedhur dritë mbi sekretin se pse tingëllon kaq bukur.

Ideja është që të krijohet një model 3D i violinës që ekspertët mund ta zmadhojnë dhe zvogëlojnë, deri në një mikron ose të miliontën e një metri. Ata zbuluan se violina ishte ende në gjendje shumë të mirë pavarësisht shenjave të konsumimit dhe dëmtimeve të vogla të pashmangshme të shkaktuara nga mosha. Por analiza e detajuar e rrezeve X do të zgjasë disa muaj.

“Qëllimi i parë është ruajtja. Nëse ndonjëherë duhet korrigjuar ndonjë mangësi, do t’i kemi të gjitha detajet”, tha z. Paul Taforo nga ESRF.

“Është një instrument i jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për cilësinë e zërit. Shpresojmë që zbulimet e reja do të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë sekretin e atij tingulli magjik”, shtoi Paul Taforo.

Luigi Paolasini nga ESRF, i cili ishte përgjegjës për realizimin e projektit, thotë se violina është e siguruar për 30 milionë euro dhe është transportuar nga Genova në Grenoble për ekspertizë. Laboratori i ESRF është një nga punëtoritë më të mira në botë për riparimin dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore historike.

Rrezet X funksionojnë si një mikroskop gjigant që “rregjistron” pozicionin dhe lëvizjen e atomeve në lëndën e kondensuar dhe të gjallë dhe zbulon strukturën e materies me gjithë bukurinë dhe kompleksitetin e saj.

Ai ofron mundësi të pashembullta për shkencëtarët në kërkimin e materialeve dhe lëndëve të gjalla në një gamë shumë të gjerë fushash: kimi, fizikë, arkeologji dhe trashëgimi kulturore, biologji strukturore dhe aplikime mjekësore, shkencë mjedisore, shkencë informacioni dhe nanoteknologji.