O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (2:183)
Shkruan Afrim Tahiri
Të dashur besimtarë, motra e vëllezër!
E hëna e 11 marsit të vitit 2024, është dita e parë e agjërimit të muajit Ramazan, të muajit më të shenjtë, më të bereqetshëm, më të mëshirshëm të vitit. Ky Muaj na do të mirë, të prajshëm, të qetë, të dashur e të devotshëm! Për hirë të madhështisë dhe shenjtërisë së këtij Muaji, ne duhet të jemi të pastër, mbi të gjitha, shpirtërisht, të përkushtuar në veprimet dhe lutjet tona që do t’ia drejtojmë Krijuesit të Gjithësisë, të Plotëfuqishmit Mëshirëplotë.
A është e mjaftueshme që vetëm të abstenojmë për një kohë të cakuar (brenda 24 ore) nga kënaqësitë që i shijojmë dhe i përjetojmë muajve të tjerë të vitit! A mjafton që vetëm të jemi përplotë me energji që t’i përkushtohemi lutjeve dhe ibadeteve tona si në asnjë muaj tjetër të vitit! Pa dyshim, asgjë nuk guxon të na hutojë e të na tundojë në lutjet tona drejtuar të Madhit Zot! Pra, në çdo frakcion të sekondës në jetën tonë, sidomos gjatë Muajit të Ramazanit, duhet të jemi me zemër të bardhë, të qetë e të përkushtur për vepra të mira, për veprime që shtojnë kënaqësinë e Allahut Mëshirëplotë.
Pa dyshim, ky Muaj i Shenjtë, prej nesh e kërkon edhe reflektimin; është çast i reflektimit tonë mbi atë se si e kaluam një vit të plotë, prej Ramazanit e në Ramazan, sa jemi besimtarë të devotshëm, t’i peshojmë veprat tona e të shohim se sa ato qenë të dobishme, në të mirë të familjes, farefisit, komunitetit, shoqërisë! Të reflektojmë edhe çaste ku kemi gabuar, ku kemi vepruar në kundërshtim me parimet që na i ka përcaktuar Krijuesi ynë si udhërrëfim të jetës sonë.
Dhe, vetëm pasi t’i kemi shoshitur mirë e në hollësi të gjitha veprimet tona përmes një reflektimi ekzaminues, tek atëherë do të kishte kuptim lutja jonë, të cilës do t’i printe pendesa jonë e thellë dhe premtimi ynë i pathyeshëm se, po me këtë pastërti shpirtërore me të cilën po i drejtohemi Krijuesit tonë, po me këtë pastërti shpirtërore do të vazhdojmë edhe pas Ramazanit, përgjatë tërë vitit! Sepse, ndryshe, ne nuk i duhemi as Zotit dhe as shoqërisë si “mysliman sezonalë”! Të qenurit mysliman i devotshëm vetëm përgjatë Muajit të agjërimit, është përpjekje për manipulim, për mashtrim. Si muslimanë na përket që tërë jetën ta kemi agjërim: të jemi të përmbajtshëm, shpirtbardhë, humanë, të dashur dhe të devotshëm.
Vëllezër e motra, në lutjet tona përgjatë këtij Muaji, le të jenë edhe vëllezërit tanë palestinezë; le t’i lutemi Zotit Fuqiplotë që ta ndalojë zullumin dhe krimin në tokën palestineze, le t’i bindë palët në luftë por edhe fuqitë e botës që të arrihet një paqe e qëndrueshme dhe përfundimisht të marrin fund vuajtjet dhe vrasjet e fëmijëve, pleqve, grave dhe të rinjëve palestinezë.
Të dashur besimtarë, jemi dëshmitarë se, si myslimanë në RMV, ndonëse në paqe, edhe këtu nuk i kemi punët mirë! Komuniteti ynë është në nofullat bluajtëse të Institucionit tonë të vetëm fetar dhe po rrezikohemi që “të bluhemi”! Prandaj, si asnjë herë më parë, t’i drejtohemi Zotit Mëshirëplotë që t’i ndjejë lutjet tona që do t’ia drejtojmë për më shumë dashuri vëllazërore, për më shumë harmoni në komunitet, për më shumë afërsi, mirësi, bamirësi dhe respekt ndaj njëri tjetrit. Ta lokalizojmë dhe ta margjinalizojmë çdo fasik e mynafik që mundohet të na i njollosë zemrat tona të bardha.
Vëllezër e motra, ju uroj agjërim të lehtë e të pranueshëm, paçi një Muaj të begatë me lutje e me ibadete. Paçi shëndet dhe kalofshi një muaj në paqe, në harmoni, të dashur e dorëdhënë.
Për hajër ju qoftë Ramazani, Muaji i agjërimit.
(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI)