Zgjidhja për pesë universitetet shtetërore që kërkojnë marrëveshje kolektive është të presin përfundimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, tha sot (6 mars) kryeministri teknik Talat Xhaferi.
Xhaferi thekson se aktualisht është pengesë fakti që janë shpallur zgjedhjet dhe sipas nenit 8a të Kodit Zgjedhor ndalohet rreptësisht nënshkrimi i marrëveshjeve kolektive pas shpalljes së zgjedhjeve. Greva dhe protesta, thotë kryeministri, është një e drejtë e pacenueshme e çdo qytetari, por ai beson se në këtë moment presionet dhe kërkesat që vijnë nga sindikatat e pesë universiteteve shtetërore janë të natyrës politike.
“Momenti i një kërkese të tillë për realizimin e një të drejte të caktuar, duke ditur paraprakisht se për këtë ka pengesa ligjore, para së gjithash nga mbajtësit e protestës – kryetarët e sindikatave, të cilët për nga natyra duhet të jenë nga profesioni i avokatit, po bëjnë veprime që nuk mund t’i bëj ndryshe i kuptoj, veç si një fushatë parazgjedhore që shkon më shumë në fushatën e politikës ditore, sesa vetë punonjësit dhe palët e interesuara që përfitojnë nga këto marrëveshje kolektive”, tha Xhaferi në një konferencë për media. .