Zgjidhja e kontestit të emrit midis Shkupit dhe Athinës është një çështje e vonuar. Rrjedhimisht, edhe integrimi i Maqedonisë në Aleancën Veri-Atlantike është një punë e vonuar. Mbase do të ishte dashur që Maqedonia të ishte pranuar në NATO me emrin IRJM. Kontesti lidhur me emrin është dashur të ishte zgjidhur qysh para njëzet vitesh.
Bie në sy fakti se BE-ja dhe NATO-ja, zgjidhjen e kontestit ndërmjet Shkupit dhe Athinës nuk e ka pasur në agjendat e tyre. Qëndrimi i BE-së është: “Ne vetëm ua përcaktojmë detyrat, ndërsa jeni ju ata që duhet t’i kryeni ato. Për proceset e integrimit do të mund të flasim, vetëm pasi t’i keni kryer detyrat”. Me fjalë të tjera, popujt e Ballkanit perëndimor nuk mund të përfshihen në agjendën e BE-së pa u ndërgjegjësuar për rëndësinë që ka integrimi. Duket sikur në dy vitet e fundit, Maqedonia u përfshi në agjendën e NATO-s dhe të BE-së. Që të ndodhte kjo, duhej pritur 25 vjet. Kjo pritje prej një çerek shekulli, e bën procesin e integrimit në NATO, të duket i vonuar.
Pengesë për zgjidhjen e kontestit të emrit me grekët, ka qenë VMRO-ja. Është për t’u habitur sesi ka mundur që VMRO-ja ta qeverisë shtetin në vitet 1998-2002 si dhe në vitet 2006-2016, në kundërshti me orientimet euro-atlantike. Dikush këtë ia ka lejuar dhe ia ka mundësuar.
* * *
Çështjet me peshë historike, kërkojnë konsensus kombëtar. Me fjalë të tjera, edhe zgjidhja e çështjes së emrit kërkonte një konsensus të tillë. Duke qenë se VMRO-ja nuk pranoi të jetë pjesë e procesit, një konsensus kombëtar rreth emrit, duket sikur nuk u arrit. Askush nuk e përjashtoi VMRO-në nga procesi i zgjidhjes së kontestit të emrit me Athinën. Përkundrazi, krerët e kësaj partie e përjashtuan dhe e izoluan veten.
VMRO-ja:
– nuk pranoi të jetë pjesë e zgjidhjes së çështjes;
– nuk e njohu Marrëveshjen e Prespës;
– nuk e njohu pyetjen që iu paraqit qytetarëve në referendumin e 30 shtatorit të vitit 2018;
– nuk i njeh rezultatet e referendumit;
– Marrëveshjen me Athinën e konsideron tradhti të lartë.
Marrëveshja e Prespës është një kompromis racional nga i cili asnjëra nga palët nuk del humbëse. Përkundrazi, të dyja palët dalin fitues. Maqedonisë i çelen rrugët e integrimit, ndërkaq Greqia shndërrohet në faktor relevant i paqes dhe i stabilitetit në rajon.
Dita e referendumit ishte një ditë kthese. Bëhej një kthesë midis të kaluarës dhe të tashme apo të ardhmes, midis të vjetrës dhe të resë, midis ideve retrograde dhe anakronike, në një anë dhe mbartësve të ideve bashkëkohore, në anën tjetër. Bëhej një kthesë ndërmjet një ideologjie antihistorike dhe antidemokratike, në një anë dhe ideve që janë në frymën e tendencës historike.
VMRO-ja hiqet si parti nacionaliste si një parti nacionaliste e cila i mbrojtka interesat e popullit sllavo-maqedonas. Kjo është një parti me ideologji anakronike dhe retrograde, antihistorike dhe antidemokratike. Duke qenë e tillë, ajo s’ka sesi të mos jetë edhe antievropiane dhe antiperëndimore. Duke qenë se zgjidhja e kontestit rreth emrit është conditio sine qua non për integrimin e Maqedonisë në organizmat euro-atlantikë, kundërshtimi i Marrëveshjes së Prespës dëshmon se VMRO-ja është njëherazi edhe kundër proceseve të integrimit. Prononcimet e udhëheqësve të VMRO-së se na qenkan për NATO-n dhe për BE-në, del se janë retorikë e pabazë. Veprimet e VMRO-së janë në kundërshti me tendencën historike, përkatësisht me frymën e kohës. Asnjë shkencë në Evropën Perëndimore nuk u beson flokulave të VMRO-istëve se sllavo-maqedonasit e sotëm na qenkan ata të kohës së Filipit II dhe të Lekës së Madh. I vetmi shtet që e mbështeste Shkupin në kontestin rreth emrit me Athinën, ka qenë dhe mbetet Turqia.
Dita e referendumit paraqiste një mundësi që Maqedonia të shkëputet nga obskurantizmi bizantin dhe nga bolshevizmi lindor. VMRO-ja duhet të mundet politikisht.
Kundër zgjidhjes së kontestit të emrit me Athinën kanë qenë Moska dhe Beogradi. Moska dëshiron që një pjesë të Ballkanit perëndimor ta shndërrojë në zonë ruse të interesit dhe në sferë ruse të ndikimit. Sipas Moskës, Serbia është satelite politike e natyrshme dhe historike e Rusisë, gjysma e popullsisë së Malit të Zi, na qenkan proserbë, rrjedhimisht edhe prorusë, Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës është proruse. Duke kundërshtuar akordin e Shkupit me Athinën, Moska pretendon të shtrijë ndikimin e vet edhe në Maqedoni.
Duke qenë shteti më destruktiv i gadishullit, Serbia ka qenë kundër suksesit të referendumit të 30 shtatorit që ia hap Maqedonisë rrugën e integrimeve. Kudo ku ka shqiptarë, Beogradi punon me të madhe për destruksion.
Nga kjo që u tha më sipër, rezulton se Uashingtoni dhe Berlini janë vonuar në përfshirjen e Maqedonisë në agjendën e BE-së dhe të NATO-s. Duke mohuar marrëveshjen me grekët, VMRO-ja ia çel rrugën Moskës për t’u penetruar në Maqedoni dhe për t’u ulur këmbëkryq në të.
* * *
Duke pandehur se është një farë partie nacionaliste, VMRO-ja është skajshmërisht antishqiptare. Për këtë farë partie, shqiptarët në Maqedoni janë pakicë kombëtare. Si të tillë, ata nuk mund të jenë popull shtetformues, ndonëse përbëjnë 30% të popullsisë së këtij vendi. Trashëgues të shtetësisë mund të jenë vetëm sllavo-maqedonasit, mbartës të shtetësisë mund të jenë vetëm sllavo-maqedonasit. Shqiptarët ndërkaq, nuk mund të jenë veçse minoritet. Për VMRO-në, Maqedonia është e sllavo-maqedonasve dhe jo shtet multietnik apo dyetnik.
Shtrohet pyetja: Si ka qenë e mundur që faktori politik shqiptar, në vitet 1998-2002 si dhe në vitet 2006-2008 apo 2008-2016 të krijojnë koalicion me një parti të këtillë kryekëput antishqiptare?! Në koalicion me këtë farë partie, d.m.th. me VMRO-në kanë qenë PDSH-ja dhe BDI-ja. Kjo e dyta, pra BDI-ja, e ka “bashkëqeverisur” Maqedoninë plot dhjet vjet, pa e lëvizur procesin politik apo kombëtar, as edhe një hap përpara.
Se çfarë partie është kjo farë VMRO-je, e dëshmojnë edhe hetimet e Prokurorisë speciale si dhe proceset gjyqësore ndaj krerëve të saj të cilët e kanë qeverisur Maqedoninë në vitet 2006-2016, bashkë me partnerët e koalicionit – PDSH-në e sidomos me BDI-në. Gjatë periudhës së sipërthënë, VMRO-ja e shndërroi shtetin në pronë private të vet. Një parti, krerët dhe pushtetarët e së cilës akuzohen për abuzime financiare, për veprime të paligjshme dhe për korrupsion, nuk bën politikë, nuk merr vendime politike strategjike dhe nuk ka vizion për të ardhme e shtetit.
Koalicionin e faktorit politik shqiptar me VMRO-në antishqiptare kurrë nuk e kanë kundërshtuar qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina. Bashkëqeverisjen e faktorit politik shqiptar me VMRO-në s’e kanë vënë në dyshim as qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Berlini. Faktorët influentë vazhdimisht kanë sugjeruar: “Veproni në kuadër të sistemit, në rrugën politike dhe demokratike, në funksion të paqes dhe të stabilitetit në Maqedoni dhe në rajoni”. Duke u përsëritur vite me radhë, ky farë sugjerimi u shndërrua në klishe. Si pasojë, një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë, sidomos të rinjtë shqiptarë, i morën rrugët e mërgimit.
Para nja dy javëve, qeveritarë të caktuar të Maqedonisë vajtën në Bruksel për të filluar skriningun, domethënë për t’i filluar mirëfilli reformat. Atëherë shtrohet pyetja: Ç’kanë bërë qeveritarët, pushtetarët dhe politikanët shqiptarë e sllavo-maqedonas brenda 27 viteve të kaluara?! Nga kjo del se nomenklaturat dhe strukturat e shtetit, gjatë periudhës së shkuar nuk paskan punuar sa duhet për t’i plotësuar standardet që shpijnë në BE.
* * *
Për vonesën e Maqedonisë në rrugën e integrimit euro-atlantik mbajnë përgjegjësi edhe të ashtuquajturit analistë politikë si dhe një pjesë e madhe e mediumeve elektronike dhe të shkruara. Këta farë analistë politikë janë mercenarë në shërbim të shtetit unitar dhe monoetnik, përkundër përbërjes dyetnike të tij; në shërbim të qeverive; në shërbim të politikës; në shërbim të pushtetarëve dhe në shërbim të partive politike, sidomos të atyre në pushtet. Ndër ta mbase ka edhe të tillë që janë edhe në funksion të shërbimeve të huaja antiperëndimore. Shumë prej këtyre analistëve, përpos që janë mercenarë, janë edhe antishqiptarë dhe diletantë. Shumë prej tyre, në zemër e kanë opsionin qytetar të ndërtimit të shtetit. Shoqëria multietnike apo shteti qytetar të përkujton vëllazërim-bashkimin e kohës së Titos. Këtyre analistëve fare nuk u bëhet vonë se në shtetin e tyre qytetar, i tërë pushteti është dhe vazhdon të jetë në duart e sllavo-maqedonasve. Shqiptarët në Maqedoni kanë vetëm 1% pushtet. Po kaq pushtet – pra 1%, kanë edhe në pushtetin vendor. Në komunat me shumicë absolute shqiptare, sllavo-maqedonasit nuk e mësojnë shqipen nëpër shkolla. Në komunat me shumicë absolute shqiptare, shkollat e mesme i mbajnë emërtimet sllave të kohës së Aleksandar Rankoviqit, ndërsa udhëheqësit komunalë nuk janë në gjendje të bëjnë asnjë ndryshim. Dhe këta farë pushtetarë vendorë çdo ditë i sheh në televizor, në mediume dhe në publik.
Sipas këtyre analistëve lakmitarë dhe disa mediumeve mercenare, të jesh zëdhënës i pushtetarëve të shtetit që vonohet për ta zënë trenin e historisë, do të thotë të jesh konstruktiv. Ndryshe, ti je destruktiv. Madje, këta poltronë, tradhtinë janë të aftë ta shesin për atdhetarizëm.
* * *
Ligji për përdorimin e gjuhëve bën pjesë në pjesën e reformave që duhet të pasojnë pasi të ketë hyrë fuqi Marrëveshja e Prespës. Këtë ligj, VMRO-istët e pritën në tehun e shpatës. Kryetari Ivanov nuk e nënshkroi Ligjin për përdorimin e gjuhëve ngase, sipas tij, ky ligj e federalizuaka Maqedoninë. Ky antishqiptar i përbetuar dy herë është zgjedhur kryetar shteti me votat e shqiptarëve. Në mandatin e parë u zgjodh me thirrjen e BDI-së, ndërsa në mandatin e dytë – me ndihmën e PDSH-së. Po kaq antishqiptar ka qenë edhe kryetari i dikurshëm Kiro Gligorovi.
* * *
Shpesh është debatuar lidhur me përqindjen e daljes së shqiptarëve në referendum. Nuk vështirë të dihet numri aproksimativ i votuesve shqiptarë. Me gjuhën politike, thuhet se pjesëmarrja e shqiptarëve nuk ka qenë e vogël. Mirëpo, duke pandehur se shqiptarët janë popull properëndimor, proamerikan dhe pro NATO-s, të gjithë kanë pritur që përqindja e shqiptarëve të jetë më e madhe. Duhet ditur se segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare parapëlqejnë ndikimet nga vendet e Orientit.
Sidoqoftë, partitë politike shqiptare duhet ta dinë se për të pasur jehonë më të madhe gjatë zgjedhjeve, duhet të mbrojnë interesin kombëtar të shqiptarëve. Interes kombëtar nuk është përfitimi personal, i grupeve apo i konjukturave. Politizimi dhe partizimi i të gjitha poreve të shoqërisë dhe të institucioneve publike nuk paraqet interes të përgjithshëm. Aq më pak, pasurimi brenda natës i kastës së samurajve.
* * *
Marrëveshja e Prespës, edhe pse e mbështetur nga Uashingtoni dhe nga Berlini, ka hasur në rezistencë të fuqishme edhe në Greqi. Atëherë shtrohet pyetja:
– A mund VMRO-ja të arrijë me Athinën një marrëveshje më të mirë se kjo dhe më të baraspeshuar se kjo?!;
– A ka parti politike shqiptare që do të pranonte koalicion me një VMRO e cila nuk e pranon Ligjin për përdorimin e gjuhëve;
– A do të kishte qenë legjitime një qeveri eventuale e VMRO-së, pa shqiptarët në qeveri?!:
– A mund t’i përfaqësojë në një bashkëqeverisje me VMRO-në, një parti shqiptare që i fiton një apo dy deputetë?!;
– A ka parti politike shqiptare që do të pranonte një koalicion me VMRO-në, e cila e parandalon integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike?!
VMRO-ja duhet ta dijë se pas bojkotimit të referendumit për integrimin e vendit në NATO dhe në BE, me kushtin e pranimit të akordit me Athinën, dyert e kancelarive të Fuqive të Mëdha historike të kontinentit të vjetër, do t’i ketë të mbyllura. Krerët e kësaj partie nuk do të mund të hyjnë as edhe në korridoret e kancelarive të Berlinit, të Londrës, të Parisit. Të mbyllur do ta ketë edhe rrugën për në Uashington.
VMRO-ja do të kërkojë shteg në lindje të kontinentit. Por, të hedhesh në gjirin e ariut rus, në një kohë kur tërë Ballkani synon Perëndimin, paraqet humbje të orientimit politik dhe strategjik
Ikja e trenit të historisë do të kishte për pasojë:
– mungesën e investimeve nga vendet perëndimore;
– krizën ekonomike;
– krizën sociale;
– krizën morale;
– shtimin e numrit të të rinjve që do të braktisnin vendin;
– përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike.
Në rast mosmiratimi të akordit me Athinën, Uashingtoni dhe Berlini, në 20 vitet e ardhshme nuk do të merreshin me Maqedoninë. Maqedonia do të shkonte në izolim dhe kjo do të shpinte në çintegrimin e saj. Shqiptarët s’ka pse të bëhen viktima të një ideologjie të shekullit XIX.
Tetor, 2018
Xhelal Zejneli