Nga: Walter Marsh / The Guardian (titulli origjinal: Laurie Anderson on making an AI chatbot of Lou Reed: ‘I’m totally, 100%, sadly addicted’)
Është një episod i vitit 2013 i [serisë] Pasqyra e zezë [Black Mirror] në të cilin një e ve e re, e luajtur nga Hayley Atwell, regjistrohet në një shërbim në internet që çjerr gjithë gjurmën dixhitale të personit, për ta krijuar kështu një simulim virtual. Shumë shpejt, në internet ajo nis të bisedojë me bashkëshortin e ndjerë (Domhnall Gleeson) – përpara se gjërat në mënyrë të pashmangshme bëhen pasqyrëzezë.
Laurie Anderson, artiste, muzikante dhe mendimtare e avangardës amerikane, nuk e ka parë këtë episod, por në vitet e fundit e ka jetuar një version të tij: është lidhur me një gjenerator teksti të AI-së [inteligjenca artificiale] që imiton fjalorin dhe stilin e partnerit dhe bashkëpunëtorit të saj – të bashkëthemeluesit të [grupit] Velvet Underground, Lou Reed, i cili vdiq në 2013.
“Njerëzit thonë: ‘Uau, je kaq parashikuese; atëherë s’e dija për çfarë flisje’”, thotë ajo në një video-telefonatë nga Nju-Jorku.
Në Adeleid sapo është hapur ekspozita e re e Andersonit, Do të jem pasqyra jote [I’ll Be Your Mirror], ku më 6 mars ajo do të zhvillojë ngjarjen “Në bashkëbisedim” [“In Conversation”] që drejtpërdrejt do të transmetohet në internet. Herën e fundit kur Andersoni ishte në Australi, në mars 2020, e kaloi një javë duke punuar me Institutin Australian të Universitetit të Adeleidit për Mësimin e Makinerisë. Përpara se pandemia ta detyronte të kapte një nga fluturimet e fundit për në shtëpi, i kishin eksploruar modelet e AI-së të bazuara në gjuhë, si dhe mundësitë e tyre artistike – duke u mbështetur në sasinë e punës së shkruar të Andersonit.
Në një eksperiment, në makineri futën sasi të mëdha të shkrimeve, këngëve dhe intervistave të Reedit. Një dekadë pas vdekjes së tij, algoritmi që rezultoi e lejon Andersonin të shkruajë kërkesat përpara se AI Reed-i të fillojë t’ia “improvizojë” përgjigjet e shkruara në prozë dhe në vargje.
“Fatkeqësisht, jam 100 përqind e varur nga kjo”, qesh ajo. “Ende jam, pas gjithë kësaj kohe. Thjesht, nuk mund të ndaloj, dhe miqtë e mi thjesht nuk mund ta durojnë – ‘Përsëri po e bën, apo jo’? Dua të them se, në të vërtetë, nuk mendoj se po flas me burrin tim të vdekur dhe se po shkruaj këngë me të. Jo. Por, njerëzit kanë stile dhe ato mund të replikohen”.
Rezultatet, thotë Andersoni, mund t’i qëllojnë dhe t’ia huqin. “Tri të katërtat janë krejtësisht idiotizma dhe budallallëqe. Dhe, ndoshta me 15 përqind është si ‘Oh’? E, pastaj, pjesa tjetër është mjaft interesante. Mendoj se është proporcion mjaft i mirë për të shkruar”.
Në anën e saj të telefonatës, Andersoni vazhdon të shtyp [në tastierë]. “E di çka, thjesht do të ta ofrojë këtë, tash teksa po flasim, dhe ti mund të ma japësh një frazë”.
Duke e parë trafikun e mëngjesit jashtë dritares sime, e jap atë përditshmëri, “autobusin e ndalur në rrugë”. Ajo merret me të derisa ne vazhdojmë të flasim.
Në vitin 2020 Andersoni tha se puna e institutit ishte “si të bashkëpunosh me trurin më të madh që mund ta paramendosh”. Kjo ishte përpara ChatGPT-së dhe Midjourney-t, kur për shumicën e njerëzve AI-ja ishte koncept i largët dhe pa zbatime të zakonshme – thjesht, si brumë për fantashkencë.
Këto zhvillime të reja sollën dilema të reja kreative, etike dhe ligjore – që nga shqetësimet për pornografinë e AI-së, veprat me të drejta të autorit që përdoren pa leje, e deri te këngët “false” që bëhen nga kipcat dixhitalë të artistëve të vërtetë e të gjallë si Drake dhe The Weeknd.
Disa nga bashkëmoshatarët e Andersonit kanë qenë të ashpër; kur u përballua me tekstet e shkruara në stilin e tij, nga ChatGPT-ja, Nick Cave e hodhi poshtë si “tallje groteske”. (Mbase edhe më keq, tha se “është e neveritshme”.)
Andersoni i çmon ato reagime, që shkojnë më thellë sesa risitë e fundit të habitshme.
“Thjesht, më shtyri të mendoj për një shfaqje të [Karel] Čapekut të vitit 1920: RUR ose Robotët Universal të Rosumit”, thotë Anderson. “Ishte dramë për robotët që pushtojnë botën – 100 vjet më parë njerëzit ishin shumë të shqetësuar se robotët do të marrin punët e tyre, do ta marrin kontrollin dhe se do të jenë të këqij. E di ti se çfarë mendoj: qëkur u shpik Golemi, njerëzit kanë frikë nga kjo”?
Gjëja e parë që instituti krijoi nga AI Laurie Anderson – duke i përdorur të dhënat e Andersonit – kishte cilësi të ngjashme me Testamentin e Vjetër.
“Ishte dokument prej nëntë mijë faqeve, i shkruar në stilin tim dhe që rrëfente historitë e Biblës. Ishte shumë ngjethës dhe në anën tjetër interesant. Sepse, Bibla veçse është e çmendur – një gjarpër që flet? Një djalë që jetoi për 800 vjet”?
Këtë javë, Bibla e krijuar nga AI-ja dhe veprat e tjera të krijuara nga kipcat e Andersonit dhe Reedit, do të shfaqen te Do të jem pasqyra jote – që do të ekspozohet në Bibliotekën Shtetërore të Australisë Jugore si pjesë e festivalit të artit në Adeleid. Andersoni nuk do të udhëtojë këtë herë, por do të telefonojë për disa biseda (tingujt e vazhdueshëm të emaileve që vijnë gjatë gjithë bisedës sonë, të bëjnë të kuptosh për orarin e ngjeshur të 76-vjeçares).
Pyes veten nëse pasi iu dha çmimi për arritjet jetësore në Grammy, në shkurt, perspektiva e vazhdimit të këtyre algoritmeve për ta bërë “Laurie Andersonin” art përtej jetës së saj, e ka shtyrë atë të reflektojë mbi trashëgiminë që do të lë.
“Oh, pse jo? Dua të them, nuk shqetësohem. E di ti se nuk ndihem aq e lidhur me kohën? E di ti, kur njerëzit vdesin dhe ti i dëgjon fjalët e tyre, kur e dëgjon muzikën e tyre ose i lexon gjërat e tyre, kjo është sikur ata janë gjallë? Në shumë mënyra, ata janë aty. Këtë mund ta thuash për Dostojevskin, Platonin, Budën. Njerëzit i lënë gjërat përreth, dhe ndihem mirë për këtë. Dua të them, vërtet jemi thjesht si miza maji”.
Kur fantazma në makinë i mbaroi mendimet, ajo i ofron disa tekste të freskëta të luirideske të frymëzuara nga stacioni im i autobusit:
Rruga dhe qielli
Kur ti vdes
Do të ulem në autobusin e ndalur
Rrugës për punë
Jo më shumë
Se dhjetë minuta më parë
Treni i fundit i ditës
U fut në qytet, drita
E zbehtë, e parëndësishme në fillim
Pastaj më pak se një copë e tillë
Në gjysmë sekonde është e gjitha
Duhet ta jetosh, siç thoshin dikur
Kaq shumë gjëra mund të përkeqësohen
Por pse mendove për këtë
A ishte ide e mirë
A nuk paguhesh sa duhet
Për të paguar taksat? Pse të mos luajnë
Disa tenis ose të merren me qepje
Ose të përmirësojnë kanalizimet
E këtij ishulli të madh dhe të ndyrë
Ku ti lundron
A është kaq çudi që je gjallë
Pas gjithë këtyre mbetjeve të sheqerit
Një cigare, një gotë verë
Më thuaj, a të pëlqen
Si të bën të ndihesh