Shkruan: Medai Shaholli
Tashmë prej dy dekadash gjithandej në trojet shqiptare, nëpër Universitetet tona ka rënie të cilësisë së nivelit të intelektualëve, ku flitet hapur se nëpër Universitetet tona vazhdojnë të shiten dhe blihen diplomat e titujve shkencor si bashelor master apo Dr dhe tituj të tjerë universitar të fushave të ndryshme.
Të jemi korrekt me të gjithë ata studentë dhe kërkues shkencorë që diplomat i kanë fituar dhe po i marrin me mund dhe djersë dhe këtu s’ka asnjë dyshim, pasi kjo shtresë është pothuajse gjysma e armatës së intelektualëve shqiptarë që mban lart flamurin e ndershmërisë dhe të dijes së fituar me mund dhe përpjekje studimore, për një diplomë të denjë për çdo student dhe studiues shkencor serioz.
Por problemi nuk qëndron te studiuesit serioz dhe të ndershëm, por me pipiruqët dhe pipiriçkat që vet dalin lakuriq nga mosdija dhe mosnjohja e drejtshkrimit shqip.
Kemi nga ata diplomëblerësit që sllavishten e shkruajnë pa gabime ndërsa gjuhën shqipe shkel e shko, si nxënës të klasës së dytë që sapo kanë mësuar gërmat.
Kemi tabore intelektualësh që fjalët shqip i shkruajnë me rregulla të sllavishtes si p.sh.; alkohol në vend alkool, arhiva në vend arkiv, masovikisht ne vend masive, llogo për logo etj., ku mos flasim për përdorimin e gërmës “ë” kur duhet dhe kur nuk duhet apo vëndosjen e theksit në një formulim të tekstit në gjuhën shqipe.
Dhe çuditërisht kjo tajfë e imtelektualëve gjithologë shqiptarë që kapërdiset herëpashere nëpër portalet tona për çështe politike apo mbi historinë tonë “çalojnë” në drejtshkrimin e shqipes së shkruar.
Nga ky fakt i hidhur mund të nxjerrim një përfundim se këta intelektualë gjysmakë ose nuk kanë mësuar në arsimimin e tyre në shkollën e mesme gjuhë dhe letërsi shqipe ose e kanë kaluar me një “2” të qelbur për hatër apo të blerë!
Ndaj, ndryshe nuk mund të kuptohet ky nivel i ulët intelektual përballë kampit tjetër sllavo-maqedon siç dëshmohet edhe në radhitjen e ranglistës së Universiteteve në “Drzhavën Severna” mes atyre në gjuhën shqipe dhe ato sllave, ku ata qëndrojnë shume më lartë se tanët.
Ky është treguesi më i mirë pse shqiptarët janë aty ku janë, të ngecur në moçalin e taborit të intelektualëve gjysmakë, ku megjithatë shqiptarët e Iliridës i kanë varur shpresat tek ata, se kjo tajfë intelektualësh që gjendet kudo nëpër partiçkat tona politike do na shpjerë përpara dhe do na nxjerrë një ditë në dritë.
Le të shpresojmë se një ditë se nuk do të kemi më intelektualë gjysmakë qe s’dinë të shkruajnë gjuhën tonë shqipe, por do të kemi intelektualë të denjë të gatshëm t’i sfidojnë ata të kampit tjetër që deri më sot janë superiorë ndaj gjysmakëve tanë me diploma të blera, ku intelektualët e së ardhmes do të dinë t’ia kthejnë dinjitetin popullit shqiptar të lirë dhe krenarë si pasardhës të këtyre trojeve të Ilirisë së lashtë.