Rreth 50 për qind e fëmijëve në çerdhet kryeqytetit, nuk janë të vaksinuar ose po janë pjesërisht të vaksinuar me Di-Te-Per. Kështu deklaron drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor Renata Mlladenovska. Këto rezultate kanë dalë pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e kontrolleve të jashtëzakonshme nëpër të gjitha çerdhet publike dhe private në vendin tonë.
“Sipas informacioneve të para që i morëm nga terreni, mund të them se pothuajse 50 për qind e fëmijëve që janë nëpër çerdhe në territorin e Qytetit të Shkupit nuk janë të vaksinuar ose janë pjesërisht të vaksinuar me vaksinën Di-Te-Per. Personalisht vlerësoj se është një fakt shqetësues për këtë shoqëri. Vlerësoj se kontrollet do të vazhdojnë edhe më tej. Drejtorët na siguruan se do ta respektojnë masën, ndërsa për këtë ne do të verifikojmë”, tha Renata Mlladenovska, drejtoreshë e ISHSSH.
Mlladenovska tha se problemi më i madh është në Shkup, pasi sipas të dhënave që kanë siguruar, në qytetet tjera prindërit janë më të kujdesshëm dhe mbi 95 për qind e fëmijëve janë të vaksinuar me Di – Ti – Per, gjë që sipas saj, tregon se prindërit i respektojnë obligimet e tyre ndaj fëmijëve.
Në rastet kur fëmijët për shkak të ndonjë sëmundje ose për arsye të tjera, nuk mund të marrin vaksinën, nga Inspektorati thonë nevojitet dokument nga mjeku specialist, me të cilin vërtetohet gjendja. Dokumenti dorëzohet në çerdhe, pas çka nuk do të ketë problem për pranimin e fëmijës.