Janë siguruar mbi 30 specializime në oftalmologji

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, sot mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Klinika për Sëmundjet e Syve me rastin e Ditës Botërore të Glaukomës.

Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, Në disa qytete të ndryshme të vendit (Manastir, Tetovë, Kumanovë dhe Shtip), matjet e presionit të syrit organizohen nga okulistë profesionistë dhe infermierë të trajnuar, me qëllim të ndërgjegjësimit për zbulimin në kohë të glaukomës.

Në prononcim për mediat, Demiri theksoi se glaukoma është një sëmundje e rëndë okulistike që nëse nuk trajtohet mund të çojë në verbim dhe shkaku më i shpeshtë është rritja e presionit të syve.

“Sidomos duhet të kemi parasysh se glaukoma nuk shfaq shenja dhe simptoma në fillim, prandaj mënyra më e mirë për të zbuluar këtë sëmundje është skriningu dhe parandalimi. Një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë është fuqizimi afatgjatë i fushave të specializuara, duke ofruar specializime të përshtatshme për institucionet shëndetësore publike. Konkretisht për oftalmologjinë si specialitet sensitiv, me Programin e Ministrisë për specializime dhe subspecializime, janë siguruar mbi 30 specializime në këtë fushë për disa institucione, ndërsa numri më i madh për Klinikën për sëmundje të syve, Spitali i përgjithshëm i Strugës, Shtëpia e Shëndetit Shkup, Spitali Klinik Manastir dhe të tjerë. Bëhet fjalë për specializimet që realizohen në këtë katërvjeçar, nga viti 2023 – 2026. Kjo do të thotë fuqizim afatgjatë i oftalmologjisë në më shumë institucione anembanë vendit, që nënkupton edhe afrimin e këtyre shërbimeve shëndetësore me vendbanimin e qytetarëve”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Demiri.

Ai apeloi për rëndësinë e zbulimit në kohë të glaukomës, përmes ekzaminimeve parandaluese, dhe falënderoi Klinikën për Sëmundjet e Syve për mbështetjen e saj, si qendër referente për trajtimin e sëmundjeve dhe gjendjeve më të vështira dhe të komplikuara të syrit.