ITSHKSH shënoi 7 Marsin me sesionin shkencor “Kontributi i prof. dr. Avzi Mustafës për arsimin shqip dhe albanologjinë”
Shkup, 7 mars 2024 – Përvjetori i 137 i hapjes së shkollës së parë kombëtare shqipe (7 mars 1887, në Korçë) u shënua këtë vit në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup me një dedikim të veçantë, kushtuar veprimtarisë profesionale e krijuese të prof. dr. Avzi Mustafës. Për të vlerësuar kontributin e shumëfishtë, që ka dhënë për zhvillimin e arsimit, pedagogjisë, didaktikës, metodikës dhe përgjithësisht shkencave të albanologjisë, ITHKSH-ja organizoi sesionin shkencor “Kontributi i prof. dr. Avzi Mustafës për arsimin shqip dhe albanologjinë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori Asani tha se lëvizja arsimore nuk është ndalur asnjëherë, as tani, sepse ne kemi nevojë për pishtarë të arsimit që do të na udhëzojnë duke na hapur rrugën për të ngritur dhe zhvilluar institucionet arsimore dhe shkencore. Ndërkaq ai vlerësoi lart veprimtarinë shkencore e profesionale të profesor Mustafës, si dhe ndihmesën që i ka dhënë Institutit tonë përmes bashkëpunimit të frytshëm shumëvjeçar, për çka edhe i ndau edhe mirënjohjen “Mik i Institutit”.
Sesioni shkencor “Kontributi i prof. dr. Avzi Mustafës për arsimin shqip dhe albanologjinë”, me pjesëmarrjen e 32 studiuesve nga Maqedonia dhe Kosova, i zhvilloi punimet në dy seanca të veçanta. Studiuesit vlerësuan lart figurën shumëdimensionale të profesor Mustafës, duke shtjelluar anë të shumta të kërkimeve dhe studimeve të tij në fusha të ndryshme të albanologjisë, si dhe kontributin e jashtëzakonshëm për zhvillimin e arsimit dhe kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me mjaft interes ishin edhe vlerësimet rreth kontributit të prof. dr. Mustafës si intelektual, njeri i urtë, me sjellje dhe shpirt fisnik, si dhe trajtesat për prezencën e tij të gjerë mediatike. Studiues të tjerë iu referuan kontributit të profesorit rreth arsimit shqip, me theks të veçantë veprimtarisë së tij pedagogjike, sidomos në hartimin e teksteve shkollore dhe universitare. Njëkohësisht u bë dhe një vështrimi analitik i opinioneve të profesorit në mjetet e komunikimit masiv, si dhe ndihmesa e jashtëzakonshme e tij në punën e gazetarëve.
Sesionit shkencor dedikuar veprimtarisë së prof.dr. Avzi Mustafës i parapriu promovimi i librit të fundit të tij “Leksikoni i pishtarëve të arsimit shqip 1941-1971”, për të cilën folën prof. dr. Xheladin Murati dhe prof. dr. Zeqirija Ibrahimi.