BEDRI, BETEJA PËR PAQË

 

Dr.Bashkim Aliu

 

          Sa herë që përmenden betejat, përfshi këtu edhe betejën e Bedrit, njeriu mendon për gjak, konflikt, shkatërrim, vrasje dhe humbje për qenien  njerëzore. Kjo ndoshta edhe është e kuptueshme për betejat, apo luftën, si ndodhi që është e ditur për të gjithë se çfarë pasojash sjell. Mirëpo, kur flitet për betejat të cilat i kanë zhvilluar gjeneratat e para të muslimanëve në veçanti, ato breza të cilët i ka lavdëruar vetë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe kur flitet në mënyrë më speciale, për betejat të cilat i ka udhëhequr dhe në të cilat ka prezantuar vetë i Dërguari i Allahut, Muhamedi s.a.v.s., të cilin Allahu i Madhërishëm e dërgoi mëshirë për botërat, çështja dallon.

          Në rastin e betejës së Bedrit, ballafaqohemi edhe me disa karakteristika tjera, fjala vjen: kjo është beteja e parë serioze dhe me jehonë të madhe, të cilën e zhvilluan muslimanët pas shpërnguljes në Medine, gjegjësisht pasi u formua shteti Islam në Medine; kjo betejë u zhvillua në muajin e bekuar Ramazan; kjo është beteja e parë, ku në mënyrë serioze u testua kohezioni shoqëror i dy palëve të muslimanëve në Medine: muhaxhirëve (muslimanëve të cilët emigruan nga Meka) dhe ensarëve (muslimanëve vendas, banorë të Medines), si dhe besimi e lojaliteti i muslimanëve ndaj fesë dhe bindja e tyre ndaj të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. Nëse kihen parasysh këto elemente të cilat u përmendën, dhe shumë tjera që nuk janë zënë në gojë, me të drejtë parashtrohet pyetja: A thua Bedri është thjeshtë vetëm një betejë, vetëm një ballafaqim ushtarak, vetëm një konforntim dhe një përleshje e armatosur? Përgjigja është gjithsesi: Jo.

          Po ashtu, duke lëvizur në trajektoren e Islamit dhe dispozitave të tij, si dhe në orbitën e burimeve islame, është e pamundur të mos vëresh dhe të mos kuptosh se qëllimi-nijeti në Islam, ka rëndësi thelbësore, sa që edhe veprat marrin karakter tjetër, bile edhe esenca e gjërave tjetërsohet në peshojën e fesë, si rezultat i qëllimit-nijetit. Që të jemi më të qartë, do të themi se gjërat në Islam vlerësohen sipas qëllimit-nijetit, me të cilin e bëjmë një veprim, ashtu që nëse nuk kemi qëllim fisnik dhe të sinqertë në një vepër, ajo është e kotë dhe e pa vlefshme, edhe pse formalisht mund të duket e rregullt dhe autentike. Nisur nga ky parim, parashtrojmë pyetjen se a thua qëllimi i daljes së muslimanëve në Bedër qe thjeshtë dëshira për të vrarë, për të derdhur gjak, për t’u përleshur ushtarakisht me armikun, apo qëllimi ishte shumë më i lartë se sa thjeshtë një përballje ushtarake? Përgjigja, po ashtu është: Po, qëllimi ishte shumë më i lartë dhe më sublim, se thjeshtë të përleshesh ushtarakisht me dikë. Këto përgjigje, në dilemat e ngritura, do t’i mbështesim me shkoqitjen në vijim të esencës së betejës së Bedrit:

 

v  Dalja në rrugë për ta ndalur karavanin tregtar të Kurejshitëve, që nënvizohet si shkak konkret i betejës në Bedër, ishte tentim për të ndaluar abuzimet dhe provokimet e vazhdueshme nga ana e politeistëve të cilët nuk i lenin muslimanët të qetë, edhe pasi u larguan prej Meke. Por, kësaj radhe, provokimi ishte mjaft nxitës, këndellës për emocionet dhe shqetësues, ngase me pronat e tyre tregtonin dhe fitonin pasuri për të investuar kundër tyre, gjegjësisht pasurinë e konfiskuar të muslimanëve, e vunë në funksion të zhdukjes të tyre totale fizike, e jo vetëm politike dhe fetare. Për atë, ishte e domosdoshme të ndalet ky aktivitet destruktiv dhe provokativ i politesitëve kundër muslimanëve, dhe për pasojë, dalja për ta ndalur në rrugë karavanin tregtar, nuk është e drejtë të trajtohet si një tentim për plaçkitje, ngase njeriu është larg mendjes ta plaçkit pasurinë e vet, por është qëndrim për t’u vënë pikë abuzimeve dhe provokimeve, si dhe për të demonstruar forcë dhe për t’u treguar serioz dhe të vendosur në luftimin e elementeve destruktive.

v  Dalja e muslimanëve në Bedër, të bashkuar dhe të vendosur, i mposhti iluzionet dhe ëndrat e estabilishmentit politeist në Meke se do të mund ta shfrytëzojnë, sipas tyre, strukturën e brishtë të shtetit të muslimanëve, si rezultat i dy të palëve: të shpërngulurve dhe banorëve të vendit, dhe do të punojnë intenzivisht në thellimin e hendekut ndërmjet këtyre dy palëve, me metoda të ndryshme destruktive, duke vënë theks në përçarjen dhe ndezjen e dallimeve fisnore dhe zonale. Së këndejmi, beteja e Bedrit, ku u dëshmua nga ana e muslimanëve kompaktësia dhe stabiliteti i shoqërisë medinase dhe lojalitetit të të gjithë banorëve të shtetit islam, të shpërngulur e vendas, ndaj fesë, besimit, lidershipit dhe shtetit islam, ishte vendimtare për t’ua bërë me dije politeistëve që të hekin dorë nga metodat perfide të shkaktimit të plasaritjeve brenda shtetit islam, por të drejtohen në binaret e qëndrimeve të logjikshme të akceptimit të realitetit të ri, përqafimit të besimit të shpëtimit dhe të ardhmërisë, dhe flakjes së besimit të bestytnive dhe absurditetit, si dhe, nëse jo konvertimin doktrinar dhe ideologjik, së paku të mendojnë seriozisht për paqë me palën muslimane, ngase ëndrat e tyre për asgjësim të shtetit musliman, dështuan qartë dhe haptas për të gjithë, pas fitores në Bedër.

 

          Së këndejmi, beteja e Bedrit, nuk qe betejë për të vrarë dhe djegur, për të derdhur gjak e për të shkatërruar, por qe betejë për të vënë paqë të qëndrueshme duke treguar vendosmëri, seriozitet dhe forcë në mbrojtjen e parimeve në të cilat beson njeriu, dhe duke i luftuar lëvizjet dhe prirjet destruktive dhe provokative e jonjerëzore, të atyre të cilët gjë më të lirë e kanë shkeljen e nderit dhe dinjitetit të njeriut.

          Në dioptrinë e daljes në mejdanin e Bedrit, duhet parë edhe dalja në mejdanet e burrave. Besimtarët të cilët qëndruan të pamposhtur, si magjsitarët e penduar në kohën e Musait, të cilët qëndruan të pathyeshëm në besim, edhe përkundër dhunës së faraonit, qëndruan që t’i mësojnë mbrapshtanët se me parime nuk luhet, dhe ta demaskojnë fytyrën e vërtetë të atyre të cilëve u dogj keq mposhtja e diktatorit. Beteja e Bedrit me fitoren historike të muslimanëve, është garancë se e vërteta përsëri fiton, dhe lufta për paqën, është krenari dhe nder i njerëzve të idealeve.