Asllani flet për golin e parë me Interin në Serie A: Ia dedikoj familjes dhe shokëve të skuadrës

Kristjan Asllani pranon se Interi po ndjente një lodhje sonte ndaj Genoas dhe zbuloi se çfarë ndjeu kur shënoi golin e tij të parë me Interin në Serie A.

“Nerazzurrët” triumfuan sonte me rezultatin 2:1 ndaj Genoas, në kuadër të javës së 27-të.

Asllani, që ishte titullar dhe luajti tërë ndeshjen, ishte autor i golit të parë sonte, që ishte edhe i pari i tij personal me Interin në Serie A.

“Kjo është një fitore shumë e rëndësishme, pasi Genoa erdhi këtu me shumë pikë pas, ata luajnë futboll të mirë dhe ne pësuam një gol të shmangshëm, por bëmë mirë që luftuam së bashku si ekip. Kishte pak lodhje në pjesën e dytë, por këto tre pikë janë thelbësore, pasi ne donim të rrisnim epërsinë tonë pak më shumë”, tha mesfushori shqiptar pas ndeshjes për “Sky Sport Italia”.

Pas kësaj fitoreje dhe humbjes së Juventusit mbrëmë ndaj Napolit, Interi tani ka rritur në 15 pikë diferencën me “Zonjën e Vjetër”, duke qenë kështu gjithnjë e më afër titullit të kampionit.

“Ne e dimë se është një avantazh i rëndësishëm, por Bolonga do të vijë më pas, kjo është gjithashtu e rëndësishme dhe ne shkojmë atje me shpresën për të vazhduar ecurinë”, shtoi Asllani.

21-vjeçari në fund tha se golin ia dedikon familjes së tij, por edhe bashkëlojtarëve.

“Unë ia dedikoj familjes sime, por edhe këtyre djemve në skuadër që më ndihmojnë çdo ditë, të gjithë erdhën për të më përqafuar dhe ishin shumë të lumtur për mua. Për të qenë i sinqertë, kisha pritur gjatë për këtë gol dhe shpresoja se do të vinte në shtëpi, pasi është një emocion i veçantë të shënosh këtu”, deklaroi Kristjan Asllani.