Zyberi: Vendimi i Qeverisë për patentat, diskriminues dhe i mangët

Avokati i Popullit, Naser Zyberi, në intervistë për Alsat, e quajti vendim të mangët dhe diskriminues, nismën e miratuar dje nga Qeveria që shteti të mbulojë shpenzimet për nxjerrjen e patentë shoferëve me emrin e ri të shtetit, deri në fund të vitit. Zyberi tha se zgjidhja nuk është korrekte pasi në të nuk janë përfshirë edhe dokumentet tjera që janë më të kushtueshme, siç është pasaporta.

“Vendimi i fundit është vendim parcial, është vendim që nuk e zgjidh problemin në tërësi dhe është vendim i cili krijon një shkallë të re të diskriminimit mes qytetarëve, mes atyre që deri në këtë moment i kanë nxjerr dokumentet e udhëtimit dhe ju shpallen të pavlefshme dhe atyre që prej këtij momenti dhe në të ardhmen. Nuk janë përfshirë të gjitha dokumentet personale, pra këtu nuk hyjnë pasaportat, nuk hyjnë letërnjoftimet dhe prandaj zgjidhja është parciale dhe nuk është korrekte dhe nuk e zgjidh problemin në tërësi”, tha Zyberi në intervistë për Alsat.