Shkruan Bexhet Muslija, Shkup
Shkup, 13 shkurt – Evropianë janë edhe qytetarët e Zvicrë, Norvegjisë, Islandës e të Britanisë së Madhe (BeM). Këto katër shtete janë vende evropiane por nuk janë të anëtarësuara në Bashkimin Evropian (BE) Britania e Madhe ishte por doli nga BE. Evropianë janë edhe ata qytetarë të 27 vendeve anëtare e të cilët janë skeptik ndaj BE-së. Ata janë evropianë po aq sa edhe bashkë-qytetarët e tyre që janë pro-BE. Në Maqedoni u “zbulua” terminologjia “blloku pro-evropian”, por ata të cilët po e quajnë vehten si të këtillë duhet që të ndërrojnë menjëherë këtë fjalor e ta zëvendësojnë me “pro-BE”, sepse nëse jo do të ofendojnë qytetarët e Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe të BeM-së, të cilët janë evropianë e nuk duan që vendi i tyre të jetë anëtarë i BE-së.
E nisa këtë tekst me sqarimin e dallimit midis fjalëve “pro-evropian” dhe “pro-BE”. Në Maqedoni të Veriut shumica dërmuese e qytetarëve janë “pro-evropian” po aq sa edhe “pro-BE”. Tentimi i atyre që e quajnë vehten “pro-evropian” , në fakt “pro-BE” për të kategorizuar kundërshtarët e tyre si “anti-evropian” apo “anti-BE” është një farsë, manipulues. Në të njëjtën kohë po të njëjtit që ia dhanë vehtes këtë epitet, sikur harrojnë se gjuha shqipe është më e vjetër se BE. Gjuha shqipe do të jetojë edhe nëse BE-ja në ndonjë të ardhme do të shkapërderdhet për shkak të përqarjeve të shumta të brendshme dhe krizave brenda të saj. Shpresojmë se kjo nuk do t’i ndodhë BE-së e as NATO. T’i kthehemi thelbit të këtij shkrimi. Ata të cilët e vendosin rrugën për hyrje në BE në krye të rendit të prioriteteve e që gjuhën shqipe po e shqelmojnë aktualisht, dhe lejojnë që ajo të vazhdojë që të kualifikohet në kushtetutën e Maqedonisë si gjuhë të cilën e flasin “20 përqind” e popullatës, nuk do të jenë kurrë evropianë të vërtetë.
Evropianët e vërtetë, brenda dhe jashtë BE-së, nuk e ofendojnë gjuhën e tyre amtare e as nuk e kualifikojnë në asnjë kushtetutë të vendeve të tyre me përqindje. Është vetëm kushtetuta e imponuar ndaj shqiptarëve në Maqedoni që gjuhën e tyre e cilëson si jo të tillë por me emërtim statistikor. Kësaj i thonë qasje diskriminuese, të pajtuar edhe nga politikanët shqiptarë të vendit të zbutur tej mase. Është qasje dhe fjalor pervers të quash vehten “bllok evropian” e të tjerët të kampit politik tjetër “jo-evropian” të cilët kërkojnë që gjuha shqipe në kushtetutën e Maqedonisë të emërtohet TASH e jo më vonë ashtu siç ajo është në të vërtetë: GJUHË SHQIPE. Arsyetimi se prioritet qenka vetëm plotësimi i kërkesës së Bullgarisë për pakicën bullgare,e jo edhe emërtimi korrekt i gjuhës shqipe në kushtetutë është qasje perversi tej mase. Është ofendim i gjuhës shqipe dhe ofendim i krejt shqiptarëve në Maqedoni dhe shqiptarëve jashtë saj dhe kombit shqiptar. Dikush duket se ka harruar se gjaku i shokëve të tyre në 2001 nuk u derdh për gjuhë 20 për qind, por për gjuhë shqipe, pos edhe për të drejta të tjera të barabarta me maqedonët.
Nuk hyhet në BE dhe nuk mund të jesh evropian kur e godet dhe poshtëron gjuhën tonë amtare, pra gjuhën tonë shqipe. BDI-ja, në krye me Ish kreun e UÇK-së e tash i BDI-së Ali Ahmeti, çuditërisht duket se nuk e ka fare brengë ofendimin që po vazhdon ndaj gjuhës shqipe në dokumentin më të lartë të vendit ku ne jetojmë. Është e natyrshme që opozita shqiptare të ngre zërin e të kërkon heqjen termit 20 përqind në kushtetutë. U bënë tashme 22 vite, 264 muaj që gjuha shqipe vazhdon të ofendohet dhe kjo këtij ‘blloku pervers evropian shqiptar’ nuk i pengon fare. Unë jam me bllokun Gjuha SHQIPE dhe aspak me bllokun kinse “pro-evropian” dhe kundërshtoj këtë qasje dhe fjalor pervers të pushtetarëve. Mirë që blloku GJUHA SHQIPE vendosi që të mos ia jap votat falas në parlament për të plotësuar kërkesën e Bullgarisë. A duhet të jetë Turp për ata që e japin votën falas në këtë rast! 22 vite shkuan, dhe tani është momenti i përshtatshëm të përmbyllni 22 vjet ofendimin e madh të gjuhës shqipe në kushtetutë. Marrëveshja e Ohrit e kreu një pjesë të misionit të saj, edhe pse ajo nuk ishte përfekte.
Gabimin duhet përmirësuar që TASH dhe në të njëjtën kohë të hiqet termi 20 përqind për gjuhën shqipe e edhe të futen bullgarët dhe pakicat tjera në kushtetutë. Drejtësia selektive nuk është drejtësi por është diskriminim. Blloku “pro-evropian” duhet që të zgjohet nga komoditeti i pushtetit e të këndellet. I njëjti, me në krye Ali Ahmetin duhet që të thërras krerët e VMRO-DPMNE, LSDM dhe krerët e krejt partive të vendit në pushtet dhe opozitë për debat të hapur, të sinqertë e të drejtpërdrejtë e pa dorëza. GJUHA SHQIPE duhet të jetë e emërtuar si edhe gjuha maqedonase në kushtetutë. Z. Ali Ahmeti, të mos ju zë gjumi në ëndërrat e Bashkimit Evropian. Qytetarët e Maqedonisë, me gjuhët e tyre maqedonase dhe gjuhën shqipe duan që të jenë pjesë e BE-së, dhe rruga fillon që në Kushtetutë, por jo me kualifikim të gjuhës me fjalor statistikor. Zotëri Ahmeti, pyetni të madhin Josif Bageri, se çfarë thotë ai për gjuhën shqipe të tij, tënden e tonën të ofenduar në Kushtetutën e vendit ku jetojmë. Merre një këshillë prej tij TASH, e jo më vonë, kur në vend të ëndërrave të Bashkimit Evropian, ndoshta do të shihni ëndërra opozitare!