Zhvillimet e fundit në RMV/ Taravari flet për kandidaturën e tij për president, ‘godet’ BDI-në – vlerëson mbështetjen e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njëherësh kandidat për president në Maqedoninë e Veriut në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” foli mbi zhvillimet e fundit në RMV.

Së fundi, në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut erdhi Talat Xhaferi, si kryeministër teknik.

Ishte hera e parë që një shqiptar u zgjodh kryeministër në RMV, e këtë gjë e komentoi edhe Taravari.

Kryetari i ASH-së potencoi se nuk kam ndonjë pritshmëri nga Taravari se dhe nuk mundet të ketë ndonjë aksion të tij personal, pasi vlerëson se është “viktimë e radhës”e Artan Grubit.

Taravari foli më gjerësisht edhe për partitë politike shqiptare në RMV, ku tha se të gjitha partitë janë të bashkuara, përveç BDI-së, e cila tha se është e kapur për pushtetin.

Ndër të tjera, ai foli edhe për kërcënimet që ka marrë dhe kandidaturën e tij për president.

Kurse, Taravari mirëpriti përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në RMV, derisa tha se është i lumtur që ka mbështetjen e kësaj lëvizjeje.

“Është normale dhe nuk është hera e parë dhe mendoj se LVV-ja është një forcë e shtuar në përpjekjet e shqiptarëve të këtyre anëve për respekt dhe barazi. Jam i lumtur të kem mbështetjen e kësaj Lëvizjeje”.

Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në Maqedoninë e Veriut?

Arben Taravari: Shpresëdhënëse më shumë se çdoherë!

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni faktin se tani në krye të qeverisë së RMV-së është një kryeministër shqiptar? Pavarësisht se është kryeministër teknik, çfarë pritshmërish keni për z.Talat Xhaferi?

Arben Taravari: Jam etnikisht i përfaqësuar teknikisht dhe nuk ndjej ndonjë gëzim apo vlerësim për ne shqiptarët, sepse ne nuk jemi popull teknik, jemi popull shtetformues dhe duhet të respektohemi si të tillë.

Personalisht nga z.Talat Xhaferri nuk kam ndonjë pritshmëri se dhe nuk mundet të ketë ndonjë aksion të vetin. Ai përveç se teknik u pa që është edhe viktimë e radhës së Artan Grubit që e damkosi keq duke e kthyer në një marionetë që shkarkoi ministra shembullorë shqiptarë vetëm sepse ishin kundra sistemit korruptiv!

Gazeta “Bota sot”: Janë parë edhe përplasjet mes partive opozitare shqiptare në RMV? Pse po mungon uniteti politik mes partive, a janë “fajtorë” për këtë gjë liderët partiak?

Arben Taravari: Aktualisht partitë shqiptare në Maqedoni janë më të bashkuara se kurrë. E vetmja parti që rri e veçuar se është e kapur nga tentakulat e pushtetit, është BDI-ja.

Gazeta “Bota sot”: Ditë më parë, para shtëpisë tuaj është gjetur një plumb. A lidhet kjo situatë me ngjarjet e fundit? Dhe, sa ndiheni të rrezikuar apo kërcënuar?

Arben Taravari: Po lidhet patjetër me ngjarjet e fundit dhe ndoshta kam dhe rrezik por kjo nuk më tremb fare. E kam kaluar fazën e frikës nga vdekja, kam frikë vetëm nga Zoti!

Gazeta “Bota sot”: Ju jeni kandidati për president i partive opozitare shqiptare në RMV. Cilat janë pritshmërit dhe planet tuaja?

Arben Taravari: Të jem Presidenti i parë tek Shqiptarët, të jem zgjedhja e tyre dhe natyrisht të jem i denjë që çdo etni tjetër që rron në Maqedoni të jem një figurë e denjë për President.

Gazeta “Bota sot”: Para pak javësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim me krerët e partive shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, si dhe përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare atje më 8 maj. Si e komentoi këtë gjë? A do ndikojë përfshirja e LVV-së në zgjedhjet në RMV?

Arben Taravari: Është normale dhe nuk është hera e parë dhe mendoj se LVV-ja është një forcë e shtuar në përpjekjet e shqiptarëve të këtyre anëve për respekt dhe barazi. Jam i lumtur të kem mbështetjen e kësaj Lëvizjeje.

Gazeta “Bota sot”: Për fund, cili është komenti juaj në lidhje me deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se Albin Kurti dëshiron ta rrëzojë nga pushteti Ali Ahmetin?

Arben Taravari: Komplekse të rrezikshme që i kushtojnë shtrenjtë jo vetëm shqiptarëve por Ballkanit, Evropës dhe më gjerë! Vuçiç ka nevojë të shërojë komplekset e tij sepse po na kushton të gjithëve në stabilitet personaliteti i tij i deformuar.