Xhaferi: RMV-ja atraktive për investime!

Kryeministri, Talat Xhaferi, merr pjesë në Samitin investues për Ballkanin Perëndimor të Bankës Evropiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit.

Në Samitin investues, Kryeministrat diskutuan në temën “Pse të investojnë investitorët e huaj në vendet e rajonit”.

Kryeministri Xhaferi tha se ndryshimet e shumta, krizat, konfliktet me efekt të drejtpërdrejtë mbi të gjitha ekonomitë globale, kanë ndikuar në çrregullimin e zinxhirëve të furnizimit global. Por, Maqedonia e Veriut, sipas tij, është një nga destinacionet e preferuar.

“Për shkak të afërsisë me qendrat evropiane, Maqedonia e Veriut është një nga destinacionet për vendosjen e prodhimtarisë. Kemi lokacion të mirë, ndërlidhje të mira dhe porte pranë nesh, si Selaniku dhe Durrësi, kështu që në një kohë të shkurtër produkti i prodhuar këtu mund të arrijë në një vend tjetër, respektivisht deri te destinacioni i fundit”, tha Talat Xhaferi.

Kryeministri Xhaferi tha se Maqedonia e Veriut paraprin në rajon me ligjet dhe aktet e zbatuara nënligjore që janë plotësisht në përputhje me Bashkësinë Evropiane Energjetike, që mundësojnë liberalizimin e tregut energjetik.

“Kemi filluar negociatat me Bashkimin Evropian dhe jemi anëtare të NATO-s. Kjo ofron stabilitet. Kemi lidhur marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në (27 vende), EFTA (4 vende), CEFTA (7 vende), Tregti bilaterale të lirë me Turqinë, Ukrainën dhe Mbretërinë e Bashkuar”, tha Talat Xhaferi.

 

Në këtë panel, krahas Xhaferit, morën pjesë Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, Kryeministrja e serbe, Ana Bërnabiq, kryesuesja e Këshillit të Ministrave e Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama si dhe dhe mikpritësi i Samitit, kryetarja e BERZH-it, Odil Reno-Baso.