Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka akuzuar Kosovën se qëllimisht po krijon “kushte të padurueshme për jetën e serbëve”, duke iu referuar vendimit për përdorimin e euros si valutë të vetme nga 1 shkurti.
Ai para KS të OKB-së ka thënë se në mungesë të reagimit të duhur, mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme” për mbijetesën e popullit serb në Kosovë para seancës së ardhshme të Këshillit të Sigurimit, ku do të shqyrtohet raporti gjashtëmujor i UNMIK-ut.
Ai ka theksuar se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për vendosjen e euros si valutë të vetme nga 1 shkurti ka qenë arsyeja pse është kërkuar seanca.
“Të dhënat se Republika e Serbisë nga ky buxhet paguan 60.946 paga në dinarë dhe pensione në Kosovë, 2.430 bursa për studentë dhe se financon kuzhina ushqimore që plotësojnë nevojat themelore të rreth 2.000 qytetarëve më të cenueshëm social, tregojnë se kjo masë është në radhë të parë sulm ndaj popullatës serbe… Vetëm nga këto shifra qartësisht shihet se një numër i madh i banorëve në territorin e Kosovës varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga të ardhurat nga dinarë nga buxheti i Serbisë. Si rezultat, është e qartë se ndalimi i pagesës së dinarit, përkatësisht heqja e dinarit si mjet pagese, një numër të madh të banorëve i privon drejtpërdrejt nga mjetet elementare personale të jetesës”, tha Vuçiq.
Ai po ashtu theksoi se shumë ferma serbe në Kosovë janë të varura nga subvencionet e dinarit nga Serbia.
“Për ta përmbledhur, me vendimin për ndalimin e pagesave të dinarit, Prishtina po pengon drejtpërdrejt funksionimin e të gjitha institucioneve sociale, shëndetësore, arsimore, sociale, kulturore dhe të tjera që u mundësojnë serbëve t’i sigurojnë vetes dhe familjeve të tyre nevojat elementare të jetës, arsimohen, mjekohen, blejnë ilaçe dhe bëjnë gjithçka tjetër që sot konsiderohet një jetë normale me një minimum të dinjitetit njerëzor”, tha Vuçiq.