Në lagjen e Vizbegut në komunën e Butelit është ndërtuar një shkollë e re fillore “Vizbeg” në të cilin do të mund të mësojnë rreth njëmijë nxënës. Qeveria përmes MASH-it për ndërtimin e saj ka destinuar rreth 110 milionë denarë. Pritet të hapet nga 1 shtatori i këtij viti për vitin shkollor 2024/2025.
Shkolla ka 20 klasa të pajisura për program mësimor gjithpërfshirës, kabinete për shkenca natyrore dhe shoqërore, për muzikë dhe art, ashensor për nxënësit me nevoja të posaçme, bibliotekë… Pjesa tjetër e shkollave në komunën e Butelit, si dhe në komunën e Çairit dhe Shuto Orizares, ku janë regjistruar fëmijët nga ajo pjesë e qytetit, janë duke u shkarkuar.
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koordinim të Resorëve Ekonomik dhe Investimeve Fatmir Bytyqi gjatë vizitës deklaroi se nevoja për ndërtimin e shkollës së re në këtë pjesë të qytetit u bë e dukshme dhe me këtë objekt shkollor modern zgjidhen problemet e qytetarëve.
“Shkolla e re jo vetëm që do të plotësojë në mënyrë hapësinore nevojat për një proces cilësor arsimor, por do të shërbejë si qendër për zhvillimin social dhe kulturor të fëmijëve. Të gjithë fëmijët, përfshirë edhe ata me nevoja të veçanta, do të kenë qasje në arsimin fillor cilësor”, tha Bytyqi, duke theksuar rëndësinë e investimit në arsim, i cili, tha ai, është gurthemeli i prosperitetit ekonomik të vendit.
Ai apeloi te kryetari i komunës së Butelit sa më shpejtë t’i përfundojë procedurat ligjore që objekti të vihet në funksion dhe nga 1 shtatori të fillojë me realizimin e mësimit.
Sekretarja shtetërore në MASH, Biljana Kazanxhiska, ka deklaruar se në këtë pjesë të komunës së Butelit ka mungesë të objektit shkollor sepse, siç tha ajo, po zhvillohet, urbanizohet dhe po shtohet popullsia dhe është e nevojshme më të vegjlit të mësojnë afër vendbanimit të tyre.
“Objekti është kompletuar plotësisht dhe është bërë pranimi teknik, mbetet që zyrtarisht të përfundojnë procedurat ligjore nga vetëqeverisja lokale, që së shpejti të caktohet një drejtor për këtë objekt të bukur që do të vihet në përdorim”, tha Kazanxhiska.
Ajo theksoi edhe se këtë vit MASH ka buxhet më të madh për investimet kapitale deri tani prej mbi 1,3 miliardë denarë përkatësisht mbi gjysmë më shumë se vitin e kaluar. Me këto mjete, tha ajo, do të rikonstruohen 90 objekte shkollore, do të fillojë ndërtimi i pesë kapaciteteve të reja hapësinore në 15 shkolla.
Në pyetjen e një gazetari, zëvendëskryeministri Bytyqi iu përgjigj se vizita për të inspektuar shkollën e sapondërtuar nuk ishte pjesë e fushatës parazgjedhore.
“Ka kohë deri në parazgjedhje, që janë rreth 20 ditë para vetë zgjedhjeve, dhe i thashë se personalisht jam i interesuar për këtë, sepse në mandatin tim tre vjeç e gjysmë tashmë po vij në këtë lokacion për herë të tretë. Një herë kur nuk kishte asgjë, ishte një fushë. Qytetarët kanë 33 vjet që flasin për këtë shkollë, tre vjet më parë ishte vetëm një fushë, isha hera e dytë kur sapo kishin filluar punimet dhe sot jam i lumtur që shoh që më në fund po përfundojmë atë që dikush duhet të kishte përfunduar me dekada. Sepse si një person që jeton në komunën e Butelit, si zëvendëskryeministër që u shërben të gjithëve në vend, dua shumë që fëmijët të kenë mundësi të mësojnë në një objekt që u garanton arsim cilësor për t’u bërë qytetarë të mirë të këtij vendi”, tha Bytyqi.