-Me shfuqizimin e Marrëveshjes së Ohrit, fshirjen e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, dhe orientimet “alternative”, kandidatja presidenciale e Të Majtës, prof. Biljana Vankovska, vë në pyetje stabilitetin e brendshëm dhe orientimin strategjik të vendit…
Shkruan: indeks.mk
Janë interesante kandidaturat e sivjetme për zgjedhjet presidenciale në bllokun etnik maqedonas. Tre nga katër prej tyre, kanë problem me percepcionin e realitetit shoqëror të Maqedonisë dhe “orientimin” gjeopolitik. Biljana Vankovska nuk është kandidate e së djathtës që të ketë “mirëkuptim” për opsionin rus, por, si kandidate e Së Majtës(Levica), mendon se pos BE-së, Maqedonia duhet të shikojë “alternativa të tjera”, qoftë edhe në planin bilateral. Kur elaboron se cilat mund të jenë ato, humbet disi me argumentimin se cili është interesi i vendit në këto alternativa.
Por, kur jemi te Vankovska, ka dhe disa kundërthënie që lidhen me të qenit kandidate e një force ekstreme e majtë, e cila që në fillim është qartë e definuar si antiperëndimore, në njërën anë, dhe në anën tjetër të bekgraundit profesional e intelektual ku mes tjerash bie edhe fakti i të qenit anëtare e Komitetit të Helsinkit, pra, të një aktiviste qytetare për të drejtat e njeriut. Së këndejmi, nëse i shtojmë adhurimin që ajo ka shprehur për kandidaturat presidenciale të Imer Selmanit(thotë se e ka votuar madje) dhe Mirushe Hoxhës, që do të thotë ka shprehur një mendjehapësi(siç do të shpreheshim për profile të tilla), kjo nuk përkon me angazhimet e saj të tashme për kthim prapa! Pse? Sepse ajo, në intervistën e fundit në TV Klan, deklaroi se Maqedonisë i duhet kushtetutë e re popullore me sjelljen e të cilës do të shfuqizoheshin Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja për Fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Marrëveshja e Prespës me Greqinë. Sipas Vankovskës, kushtetutën e re do ta sjellë populli, duke përmendur Kilin si shembull. Ky lloj mendësie populiste, vërtet e shpie profesoreshën Vankovska në ujërat majtiste revolucionare, të cilat gjithkund ka dështuar, sepse një kushtetutë nuk mund ta shkruajë populli! Por ana tjetër e medaljes në këtë mendësi, se ajo vendin don ta kthejë në burimin e problemeve që menduam se i kemi tejkaluar.
Çfarë do të arrihej me “shfuqizimin” e Marrëveshjes së Ohrit? Do ta kthente Maqedoninë në periudhën para vitit 2001, me kushtetutën që Arbënr Xhaferi e kishte quajtur me të drejtë “burim i të gjitha krizave”, ose në periudhën e gabimeve që i kanë pranuar disa udhëheqës maqedonas të asaj kohe, që më vonë kanë pranuar gabimin për mosmirëkuptimin ndaj kërkesave të shqiptarëve(përdorimi i gjuhës, arsimi sipëror…), gjëra të cilat u tejkaluan me Marrëveshjen e Ohrit. Por fundja, si mendon profesoresha ta shfuqizojë Marrëveshjen e Ohrit, i cili është dokument paqeje, por që është inkorporuar në Kushtetutë? Me kushtetutën e saj “të popullit”, apo jo? Harron pra ajo, edhe pse vetë ka qenë dëshmitare e debateve politike të viteve 90-të, të koncepteve “qytetare” që u ofroheshin shqiptarëve për të qenë në pozitën inferiore “sipas dokumenteve ndërkombëtare”, edhe pse më herët kishin qenë në kushtetutën e vitit 1974 në pozitë shumë më të mirë se do t’u ofrohej me kushtetutën e vitit 1991, që ndoshta profesoresha Vankovska do ta preferonte. Duhet ta pyesë kolegen e saj, prof. Mirushe Hoxhën apo Imer Selmanin nëse do të pajtoheshin me këtë?
Tipike për atë lloj mendësie që nuk pranon realitetin. E realiteti i Maqedonisë, është multietnik dhe në pikëpamje historike dhe të realitetin aktual. Përpjekjet për ta ndryshuar këtë realitet, janë të dështuara gjithnjë, ose përcillen me shumë trauma kolektive. Njësoj është edhe po të kthejmë procese të tjera, siç kërkon ajo, fshirjen e Marrëveshjes së Prespës(këtë me Bullgarinë po e lëmë hapur, se lidhet me ndryshimet kushtetuese), sepse Vankovska është rob i manipulimit se me ndërrimin e emrit Maqedonia dhe maqedonasit si popull kanë humbur diçka nga indetiteti, ndërkaq identitetin një populli nuk e përcakton “atributi” gjeografik, siç vazhdojnë të trumpetojnë shumë qarqe politike e intelektuale.
Mediat kanë cituar edhe kandidaten e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkovën të ketë thënë se e djathta maqedonase ka mirëkuptim edhe për opsionin rus, e cila me përgatitjen e vet akademike dhe mund të gjejë argumente “valide” për këtë mundësi, por vetë kjo tregon për një dilemë serioze për shoqërinë maqedonase se ku mund ta çojnë këto mendime shtetin tonë. Edhe kryetari i mëparshëm i po kësaj force politike, Gjorge Ivanov, shpesh akuzohej për nostalgjinë ndaj Moskës, duke e quajtur atë si njeri që shikon nga Perëndimi, e me zemër nga Rusia. Është e habitshme se si VMRO-së i ngjiten këso personalitetesh, ose nëse s’është më saktë të thuhet, se ata burojnë nga vetë ideologjia e saj!
Pra, kemi në “qarkullim”, kandidatura vërtet problematike. A mund t’i sjellin diçka mirë këto “rieorientime” si kjo e Vankovskës? A mund të kthehen proceset prapa, dhe a mund t’i sjellin diçka të mirë vendit tonë? Me shfuqizimin e Marrëveshjes së Ohrit, fshirjen e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, dhe orientimet “alternative”, kandidatja presidenciale e Të Majtës, prof. Biljana Vankovska, vë në pyetje stabilitetin e brendshëm dhe orientimin strategjik të vendit…Njësoj edhe Gordana Siljanovska-Davkova.