Gjashtë muaj para se ai të gjendej i vdekur në banesën lundruese të refugjatëve Bibby Stockholm, Leonard Farruku shpresonte për krijimin e një jete të re në Angli.
“Kam ardhur në Angli në gusht 2022. Shpresoj të marr dokumentet pasi jam në një kompleks për azil-kërkues. Erdha me gomone,” shkruante i riu shqiptar në një mesazh për një shokun e tij të fëmijërisë në Tiranë.
Nëna i kishte vdekur kur ishte 17 vjeç dhe babai disa vjet më vonë. “Humbja e nënës dhe më pas e babait më ka traumatizuar, nuk e dija ku isha apo çfarë po ndodhte. Tani kam këtu duke kërkuar azil, jetoj në një hotel, Zoti na mbroftë”, shkruante ai.
27 vjeçari besohet se ka vrarë veten në tualetin e barkës së kontestuar të refugjatëve, ku strehohen qindra azil-kërkues në brigjet jugore të Britanisë.
Ai ishte parë në gjendje të trazuar ditën kur më pas u gjet i vdekur.
Miqtë e familjarët ende pyesin se çfarë e shtyu Farrukun të kryente një akt të tillë, teksa askush nuk mendonte se muzikanti ambicioz i fizarmonikës me një të ardhme premtuese në dukje, do të vriste veten.
“Na merr malli shumë për Leonardin, do të jemi gjithmonë të trishtuar për mënyrën si i dha fund jetës”, thotë motra e tij Jola Dushku, 33 vjeçare që jeton në Lombardi të Italisë.
Rrjeti britanik Guardian foli me të afërm e miq të të ndjerit si dhe me mësues të tij në Shqipëri, për të kuptuar më shumë mbi të kaluarën e Farruku dhe shkaqet që e çuan te vdekja.
Ata e përshkruanin si një djalë punëtor që ëndërronte të bëhej muzikant, por i tronditur nga vdekja e parakohshme e nënës, kur ishte në Liceun Artistik Jordan Misja, në Tiranë.
Leonard Farruku i ri
Pas vdekjes së babait disa vjet më vonë Farruku, i njohur ndryshe si Nardi, nisi të mendonte të shkonte në Angli, deri sa kreu lundrimin e rrezikshëm të ngushticës me Francën në 2022, viti kur një numër rekord prej 12,301 shqiptarësh erdhën në barka të vogla për të kërkuar azil në Angli.