Taravari: Kurti ka autoritet të pakontestueshëm në Maqedoni të Veriut

Në një intervistë, që do të transmetohet në “Intreaktiv” të KTV-së, kryetari i Gostivarit, Arben Taravari dhe njëherit edhe kandidat presidencial nga opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka folur më shumë për përplasjen me Ziadin Selën dhe betejën për kreun e Aleancës për Shqiptarët si dhe rolin që ai synon të ketë pas.

Kandidati për president të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut po ashtu ka folur edhe për përkrahjen që po merr nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Kurti është duke u zhvilluar në një kryeministër model në rajon. Padyshim, ai ka autoritet të pakontestueshëm në Maqedoni. Ku është fati të kemi sa më shumë personalitete si Kurti në rajon. Është frymëzuesi i të rinjve që shohin një farë shprese”, tha Taravari.

Taravari ka folur edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Shqipëria dhe Kosova padyshim që kanë një impakt në Maqedoni dhe në politikat që i bëjmë realisht, çdo herë jemi konsultuar me Prishtinën dhe Tiranën. Ka njëfarë relacioni i cili është i patjetërsueshëm, mendoj se duhet të jeni në koordinim me disa gjëra. Edi Rama nuk është që nuk ka ndihmuar në mënyra indirekte më shumë, vazhdimisht zotëri Ahmetit i ka dhënë krah në zgjedhjet lokale”, tha Taravari.