Sulmet me raketa ruse goditën Kievin dhe qytete të tjera të mërkurën në mëngjes, duke shkaktuar të paktën një vdekje dhe disa të plagosur, njoftuan autoritetet ukrainase.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se një raketë ruse e rrëzuar kishte dëmtuar linjat e energjisë elektrike dhe se disa familje në qytet ishin pa energji elektrike.
Një burrë u raportua të jetë vrarë në qytetin lindor të Mykolaivit.
I gjithë vendi u vu nën alarm ajror rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, transmeton Klankosova.tv
Kryebashkiaku Klitschko tha se nëntë persona ishin plagosur në kryeqytet, duke përfshirë një grua shtatzënë.
Në Mykolaiv, një person i cili u dërgua në spital vdiq më vonë nga plagët e marra, tha kryetari i bashkisë së qytetit, Oleksandr Senkevich, raporton BBC.
Të tjerët u trajtuan në vendin e ngjarjes pas sulmit, i cili dëmtoi shtëpitë, si dhe furnizimet me gaz dhe ujë, shtoi ai.
Shpërthime u dëgjuan gjithashtu në Kharkiv, me disa dëme në infrastrukturë të raportuara nga autoritetet ushtarake.
Sipas forcave ajrore ukrainase, raketat ruse të lundrimit u zbuluan duke manovruar mbi rajonet perëndimore të Lviv, Ternopil dhe Ivano-Frankivsk, transmeton Klankosova.tv.
Ukraina është nën sulm të shpeshtë ajror që kur Rusia e pushtoi më 24 shkurt 2022. Forcat ruse përdorin rregullisht lloje të ndryshme armësh në sulmet e tyre, duke përfshirë dronët dhe raketat.