Shaqiri për nxënësit shqiptarë në Çashkë: Jemi afër gjetjes së zgjidhjes

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, ka njoftuar sot se zgjidhja e situatës në shkollën fillore “Todor Janev” në Komunën e Çashkës, ku prej dy muajsh nuk ka mësim për shkak të bojkotit dhe bllokadave nga prindërit maqedonas, është afër fundit.

Problemet në këtë shkollë nisën kur u vendos që të hapej paralele në gjuhën shqipe, gjë që shkaktoi revoltë tek prindërit maqedonas.

“Sot dhe nesër pas seancës së qeverisë do të kemi njoftime konkrete se cila është zgjidhja për Komunën e Çashkës. Por një gjë që mund të them tani është se jemi në fund të gjetjes së zgjidhjeve për atë që ka më shumë se dy muaj që po ndodh në Çashkë. Dhe ne punojmë për të gjithë nxënësit, pavarësisht nga kombësia e tyre sipas të drejtës kushtetuese për të pasur të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre amtare”.

“Sot dhe më së voni nesër do të ketë përgjigje konkrete lidhur me diskutimin mes Qeverisë, Ministrisë së Arsimit, Këshillit të Prindërve dhe përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale”, tha Shaqiri në lidhje me problemin me nxënësit shqiptarë në Komunën e Çashkës.