Rexhepi: Kandidatët shqiptarë për president s’mund të kalojnë në raundin e dytë

Kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi – Zejd, vlerëson se kandidatët shqiptarë për president nuk kanë asnjë gjasë të kalojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në intervistë për Alsat, Rexhepi tha se e vetmja mundësi që një shqiptar të bëhet president i Maqedonisë së Veriut, është zgjedhja e të parit të shtetit në Kuvend dhe jo në votime të drejtpërdrejta.

“Dihet që fushata presidenciale për partitë politike shqiptare është vetëm fushatë parlamentare dhe asgjë më tepër. As gjasa teorike nuk ka që kandidati shqiptar të kalojë në raundin e dytë. Rrethanat politike në Maqedoninë e Veriut janë të atilla që e bëjnë të pamundur që një kandidat shqiptar të kalojë në raundin e dytë. Është e pamundur nëse nuk ka vullnet edhe tek pala maqedonase. Përsëri do të kërkojmë të ketë ndryshime kushtetuese që kryetari i shtetit të zgjidhet në Kuvend. Në momentin që do të zgjidhet nga Kuvendi atëherë do të ketë marrëveshje edhe për president shqiptar sepse shqiptarët gjatë këtyre 30 viteve e kanë dëshmuar se kanë kapacitet të lartë për të qeverisur çdo institucion në këtë shtet. Mbetet i fundit posti i presidentit dhe do vijë edhe ai, herët apo vonë do të merret nga shqiptarët”, tha Rexhepi.

Ai sqaroi se partia e tij nuk do të garojë me kandidat të vetin në zgjedhjet presidenciale, ndërsa bëri të ditur se Kuvendi Qendror, do të vendosë javën e ardhshme cilin kandidat për president do ta mbështesë Lëvizja Populli.

“Do të vendosë Kuvendi Qendror, por me atë pjesë që do të bëjmë marrëveshje për zgjedhjet parlamentare gjithsesi se atë kandidat do ta përkrahim, qoftë i pozitës apo opozitës sepse nuk do të ishte as korrekte dhe as demokratike të bëjmë fushatë parlamentare me një subjekt ndërsa fushatë presidenciale me subjekt tjetër” , tha Rexhepi në intervistë për Alsat.