Reagon BDI e Tetovës: Rrugët si KRD, rruga te Burgu i Tetovës dhe rruga 108 vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme

“Rruget si KRD, rruga te Burgu i Tetovës dhe rruga 108 vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme, edhe pas asfaltimit sa për sy e faqe të tyre.
Të nderuar qytetarë,
Amaterizmi dhe qëllimet e këqija të kësaj administrate komunale nuk kanë fund. Nuk kanë kaluar as tre muaj që kur janë shtruar rrugët e lartëpërmendura, sot përsëri janë shkatërruar dhe qytetarët vuajnë pasojat.
Pyesim administratën e komunës dhe kryetarin, se cili është qëllimi që rrugët duhet të shtrohen nga dy herë, dhe kush përfiton nga ky mashtrim?
Qindra-mijëra euro përsëri do merren nga buxheti i qytetarëve për të asfaltuar rrugë që tashmë janë asfaltuar para tre muajve.
Edhe ato punë që janë bërë në rregull në Tetovë, janë realizuar nga Ministria e Transportit dhe jo nga komuna, që çdo ditë tenton t’i përvetësojë meritat.
Një thënie popullore e përshkruan më së miri punën e administratës komunale dhe të kryetarit Kasami: Puna e natës, gazi i ditës!”

Qendra për komunikim me media,
BDI – Dega Tetovë