Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimit që ka pasur me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Kosova nuk do të ishte shtet i pavarur, po të mos ishte përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në konferencën për media bashkë me Blinkenin, Rama ka thënë se të dy ndajnë shqetësimet dhe pikëpamjet e njëjta për rajonin. Ai ka thënë se SHBA-ja është mbështetëse e palëkundur e “procesit të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.
“Dhe është mirë që asnjëherë shqiptarët kudo që janë, duke nisur nga ata në Kosovë, që të mos harrojnë se pa SHBA-në s’do të kishte shtet të pavarur të Kosovës”, ka thënë Rama.