Shkruan:Xhenis Sulejmani
Në jetë i mban mend njerëzit që të kanë shtrirë dorën për të zbuluar atë që ne dimë ta bëjmë më së miri, atë për të cilën ne zotohemi ose për të cilën jemi edukuar (në nivel akademik). Me rekomandim të një ish profesorit tim, “si një prej studentëve të tij më të dalluar”- njëherazi mirënjohja më e madhe që kam marr ndonjëherë, për këtë do shkruaj në një rast tjetër- kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani kishte vendosur të më rekrutonte për të qenë pjesë e kabinetit të tij. Kjo është pjesa subjektive.
Pjesa objektive. Definicionet e mia për politikën, konceptin mbi shtetin (polisin), kryesisht për referencë kanë antikën- Sokratin dhe Aristotelin. Në botëkuptimin e sotëm provincialist mbi politikën, e cila fatkeqësisht mbizotëron te ne, nuk është veprimtari që gëzon mendim pozitiv. Por, ne shpesh ngurrojmë të shkruajmë për qenie të rralla politike që i japin kuptim politikës në praktikë, nga kompleksi se mos vallë të tjerët po mendojnë se po i vardisemi shtetarëve. Jo, politika duhet të jetë përtej preferencave individuale dhe përtej provincializmave tjera. Ja unë po shkruaj kur po e mbaroj bashkëpunimin në kabinet.
Ministri Osmani në praktikë ka dhënë shumë shembuj të teorisë në praktikë, si prijës i nismave rajonale që kultivojnë dialogun politik, prijës i organizatave multilaterale që për objektiv kanë sigurinë dhe marrëdhëniet e mira mes popujve.,,, nivelin e lidershipit të tij (kryesisht me OSBE), e kështu me radhë.
Nga bashkëpunimi me të, kam vërtetuar se, ai është një qenie politike mu ashtu siç e përshkruan Aristoteli qenien politike. Ekstrem punëtor, i përkushtuar maksimalisht në targetin që ia ka vënë vetes dhe detyrave që ia ndanë ekipit të tij. Ai nuk është rastësisht, them unë: shok me suksesin. Kur e observon nga jashtë, ka një ujdi të paparë me suksesin, sikur e ndjekin njëri tjetrin.
Një postim, se pse është shtetari i vërtetë Bujar Osmani është pak. Por, edhe për elozhe nuk ka shumë nevojë sepse suksesi i tij është i prekshëm, e për të njëjtin figurat stilistike nuk kanë vend.
Jo shumë kohë më parë arritja më madhe e vendit në diplomaci ka qenë kur ish presidenti i SHBA-së Barak Obama ia ka bërë me sy ish presidentit Gjorgje Ivanov. Sot, Maqedonia e Veriut ka nisur Dialog Strategjik me SHBA-në, kanë avancuar marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillohen takime të nivelit më të lartë diplomatik. Çka është me rëndësi, diplomacia amerikane njeh suksesin e Maqedonisë së Veriut dhe rolin e Bujar Osmanit në nismat rajonale dhe botërore për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Pikërisht sot kur arkitektura e sigurisë është e brishtë dhe bota po ballafaqohet me rrënuesit e vlerave demokratike.
“Kryesimi i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në është fantastik!”, ka thënë Sekretari i shtetit amerikan, Entoni Blinken.
Vlerësime për politikën e Jashtme, në adresë të kryediplomatit Osmani kanë mbërri edhe nga diplomacia e lartë europiane.
“Është gjithmonë kënaqësi të jem këtu në Shkup dhe të takoj miqtë dhe partnerët e mi. Ju jeni një nga partnerët tanë më të besueshëm”, thë në vizitën e tij të fundit në Shkup Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg.
Në këtë linjë është edhe kryediplomati çek, Lipavski, i cili tha se Maqedonia e Veriut po përmirëson performancën e saj çdo ditë. Duke folur për këtë, Lipavski theksoi se vendi është 100% në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Ai nuk ka ngurruar të falënderojë publikisht ministrin Osmani për këtë.
“Dëshiroj të përgëzoj Maqedoninë e Veriut dhe personalisht ministrin Osmani për kryesimin e suksesshëm të OSBE-së”, tha Lipavski.
I gjithë Bashkimi Evropian e pranon se Maqedonia e Veriut është e gatshme të përfundojë me sukses negociatat për anëtarësim, ishte mesazhi i ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Vllahovski.
Zëvendës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mirçea Xhoana ka shprehur mirënjohje për kryediplomatin shqiptar të Maqedonisë së Veriut.
“A i mbijetuat kryesimit (me OSBE)? Ju falënderojmë për lidershipin tuaj”, dëgjohet duke i thënë Xhoana Osmanit në takimin e fundit një javë më pare në Bruksel.
Edi Rama në një rast shpreh keqardhje se Bujar Osmanin nuk mund ta ketë edhe MPJ të Republikës së Shqipërisë.
………………
Ministri Osmani do ketë nevojë për votën tonë aq sa ne kemi nevojë për punë të mira në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësim dinjitoz me rezultate botërore.
Njëjtë siç ishte sfiduese dhe dobiprurëse, profesionalisht, shërbimi në kabinetin e ministrit të parë shqiptar për Punë të Jashtme, sfiduese, si politolog, do jetë edhe pjesëmarrja në fushatën zgjedhore për president të shtetit.
Le të fitojë gara politike, demokracia dhe debati!