Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq me dorëheqjen e tij të bërë publike në llogarinë e tij në X nga të gjitha funksionet partiake në Lëvizjen Evropa Tani (Evropa Sad)ka dhënë sinjale për turbulenca politike jo vetëm në partinë të cilën e kishte bashkëthemeluar me kryeministrin aktual Milojko Spajiq, por edhe brenda shumicës parlamentare aktuale.
Njohës të rrethanave politike në Mal të Zi theksojnë se shembja definitive e raportit të dtë y drejtuesve të shtetit malazez, Milatoviq dhe Spajiq, nuk është ndonjë befasi, për shkak se ka kohë që ata nuk janë pajtuar në shumicën e çështjeve.
Një gjë duket e sigurt se ndarja e kësaj dysheje politike do të shkaktojë një krizë politike brenda bllokut qeveritar dhe mund të çojë në diskutim mbijetesën e qeverisë aktuale atje.
Një ditë, pas dorëheqjes së Milatoviqit, ministri aktual i Drejtësisë, Andrej Miloviq, është shkarkuar me shumicën e votave të anëtarëve nga Lëvizja Evropa Tani, dhe pozita e tij në Qeveri.
Ndërkohë, ka pasur edhe shkarkime të tjera të degëve komunale, si ato të kryeqytetit Podgoricë, dhe të qytetit të Tivarit.
Të gjitha këto, kanë nxitur spekulimet se vetë Milatoviq ka gjasa të formojë një forcë të re politike, me anëtarët e pakënaqur të Lëvizjes “Evropa Tani”, si dhe të bashkëpunojë me parti të tjera, siç janë Demokratët e Aleksa Beçiqit në Qeveri, si dhe URA-n opozitare të Dritan Abazoviqit.